Stop gjuetisë në Kamenicë

Gjilan – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë vendim për ndalimin e gjuetisë në territorin e komunës së Kamenicës, si dhe në disa komuna të tjera ka thënë Gani Sadiku.
Gani Sadiku, Drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka apeluar tek gjuetarët dhe qytetarët të tjerë të komunës së Kamenicës, ta respektojnë vendimin i cili ndalon gjuetinë edhe në komunën e Kamenicës. “ Mosrespektimi i këtij vendimi nga ana e gjuetarëve do ketë pasoja të ashpra ligjore” ka thënë Sadiku. Sipas tij, vendimi do të jetë i përkohshëm, deri në kryerjen e procedurave të tenderimit.
Në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndër të tjera thuhet se gjendja e tanishme e këtij sektori, ka sjell zhvillimin e gjuetisë se pa kontrolluar dhe pa kriter, nga të quajtura shoqata të gjuetisë dhe gjuetarë ilegalë, me ç’rast ka rrjedhur deri te zvogëlimi në masë kritike i fondit të kafshëve të egra, e në veçanti atyre autoktone, të rralla, të rrezikuar e të mbrojtura me ligj dhe me konventa ndërkombëtare.
E gjithë kjo vjen duke u nisur nga fakti se shumica e komunave kanë neglizhuar që ta rregullojnë ligjërisht çështjen e sektorit të gjuetisë, e me këtë rast zbatimin e ligjit në fjalë thuhet në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. /rajonipress/