Stojiq mohon të ketë marrë pjesë në vrasjen e Adem Byqmetit

Gjilan – Momqillo Stojiq (1961) i arrestuar menjëherë pas vrasjes së Adem Byqmetit është marrë në pyetje nga Prokuroria Themelore të martën. Stojiq i cili është babai i Ivan Stojiqit dhe mixha i Radovan Stojiqit të dy këta të vetëdorëzuar në Kragujevc ka thënë se nuk ka lidhje me vrasjen dhe se ai nuk është pjesëmarrës apo ndihmës i vrasjes. Stojiq, kategorikisht ka mohuar ndihmën në vrasjen e Adem Byqmetit, transmeton rajonipress.
Momqillo Stojiq (1961) nga Poneshi i Gjilanit është marrë në pyetje të martën për të sqaruar detaje rreth vrasjes së Adem Byqmetit më 17 janar 2013. Stojiq sipas prokurorit të rastit Afrim Shefkiu e ka mohuar veprën në tërësi. “Unë s`kam lidhje me vrasjen e as që kam ndihmuar në vrasjen e Adem Byqmetit. I njoh të dy të dyshuarit, meqë njëri është djali im e tjetri djali i vëllait, por s`kam lidhje me vrasjen” është shprehur Stojiq.
Stojiq nuk e ka mohuar gjetjen e revoles së tij në vendin e ngjarjes për të cilën ka thënë se është e tija , por është marrë nga djali i tij Ivani pa dijeni e tij.
Për vrasjen e Adem Byqmetit pritet të merren në pyetje edhe dëshmitarë të tjera, jashtë dy të dyshuarve kryesor , Radovan Stojiq dhe Ivan Stojiq të cilët u vetëdorëzuan në Gjykatën e Kragujevcit, më 21 janar 2013 , ku edhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në Prokurori pritet të jep deklaratë edhe pala e dëmtuar dhe njëkohësisht i plagosur në ditën kritike Ramiz Byqmeti.
Ndryshe, Adem Byqmeti (1973) ishte vrarë më 17 janar 2013 tek vendi i quajtur “Mali i Letevcit” në Ponesh derisa po prente dru me të vëllain Ramizin, i cili gjithashtu ishte plagosur rëndë. /rajonipress/