Stavileci: Isa Mustafa po e kopjon Hashim Thaçin, Shpend Ahmeti s’ka bërë asgjë

Të gjithë zyrtarët e PDK’së meritojnë të jenë në Qeveri dhe Kuvend. Por, për këto pozita është herët të flitet. Margarita Kadriu nuk u katapultua në pozitën e Nënkryetares, por për avancimin e gruas edhe unë do t’i shkelja rregullat. Shpend Ahmeti s’ka bërë asgjë prej se ka marrë pozitën e Kryetarit të Prishtinës. Isa Mustafa po e kopjon Hashim Thaçin kur po jep premtime. Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Blerand Stavileci, flet për Express.
Express: Kanë mbetur edhe më pak se një muaj prej se kur do të mbahen zgjedhjet nacionale. Kemi parë shumë vendime e shumë premtime të Kryeministrit dhe disa aderime në PDK…
B. Stavileci: Besoj se të gjithë janë dëshmitarë, sidomos muajve të fundit, por do të thosha edhe menjëherë pas zgjedhjeve lokale, ne kemi nisur me një ritëm të punës së jashtëzakonshme, sidomos Kryeministri, duke nxjerrë mësim nga e kaluara e qeverisjes, me të gjithë ato gjëra të mira që janë bërë. Me gjithë ato projekte që janë realizuar. Në të njëjtën kohë, duke i parë edhe aspektet e ndryshme, sidomos të jetës ekonomike dhe sociale, të cilat ne i kemi analizuar, jemi përgatitur dhe pastaj Kryeministri dhe Qeveria kemi marrë vendime të shumta në mënyrë që një pjesë e mirë e punës të rrumbullakohet. Por, edhe të hapet një kaptinë e re që fokus primar ka zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në këtë drejtim, Kryeministri dhe gjithë të tjerët kemi konsideruar që ekipit fitues i nevojiten akoma më shumë figura dhe profile të dëshmuara, të cilat jo vetëm që do ta garantojnë fitoren dhe zbatimin e këtij programi – për të cilin fola – por edhe në të njëjtën kohë krijon avantazh të dukshëm krahasuar me të dytit. Mendoj, edhe njerëzit që po vijnë, këto personalitet të njohura, por edhe fryma, e cila është krijuar, duket që fituesi dihet, ndërsa, më shumë është luftë se kush do të jetë lider në opozitë. Dhe, ne kemi ende kohë, deri te 8 qershori, mirëpo, atë që jo vetëm ne që po e vërejmë, por edhe si disponim të një pjese të qytetarëve që ndoshta nuk i kanë mbajtur krah ndonjë partie politike, flet me shumë admirim për veprimet e PDK’së dhe të Kryeministrit Thaçi. Në të njëjtën kohë pret që PDK të jetë fituese, sepse është pothuajse e vetmja që ka përsëri një alternativë konkrete qeverisëse me pika konkrete të ekonomisë.
Express: Meqë po flasim për ardhjet e reja, po ndalemi tek ardhja e fundit ku ish-kryeredaktorja e një gazete u bë Nënkryetare e PDK’së?
B. Stavileci: Nuk do të lidhesha vetëm me një person. Po të ishte vetëm një person si prurje apo të themi se do të garohej se ka vetëm një vend të lirë për një prurje. Unë do të flas për të gjitha prurjet si një ekip i ri, profile të ndryshme, të cilat unë edhe dje kam bërë analogji me sportin për të treguar se cili është një ekip shumë cilësor dhe është kampion dhe është një ekip tjetër…
Express: Por, Barcelona kohëve të fundit ka humbur?
B. Stavileci: Është çështje emri, sepse nuk e kam bërë se kush është fituesi apo vendi i parë apo i dytë..
Express: Pas këtyre zgjedhjeve, a mund ta ketë PDK’ja fatin e Barcelonës?
B. Stavileci: Absolutisht, jo. Atë analogji e kam bërë dhe kam marrë dy emra për të treguar se njëri është shumë i fuqishëm dhe nëse luan në 100 ndeshje – nëse jo në 100 – në 99 fiton gjithmonë. Kjo ka qenë figura që kam përdorur të mërkurën. Dhe, po i kthehem përsëri asaj për çka e nisëm. Nëse e marrim dhe e analizojmë si ekip, absolutisht, janë prurjet më cilësore. Nëse marrim edhe individualisht, për atë çka kanë përfaqësuar në botën nga e cila vijnë, përsëri janë emra të dëshmuar.
Express: Sa është demokratike, nëse një person vjen në parti dhe katapultohet në pozitën e Nënkryetarit?
B. Stavileci: Unë nuk e mendoj se në asnjë subjekt dhe në asnjë organizatë nuk ndodh që gjithmonë dhe gjithçka të shkojë nga zeroja dhe të mbërrijë deri te numri 100.
Express: Ta qartësojmë pak. Sa është demokratike të vijë dikush në partinë tuaj dhe për një moment të marrë pozitën e Nënkryetares?
B. Stavileci: Mendoj që gjithçka që bëhet në të mirë të partisë është demokratike. Përderisa, nuk ka diçka, të them, e jashtëligjshme. Unë nuk do të thosha se është katapultim.
Express: Ta sqarojmë. Si ka hyrë pra ajo në PDK?
B. Stavileci: Prej vitit 2007 jam aktivisht në PDK dhe kam qenë votues i rregullt dhe kam qenë gjithmonë me këtë frymë. Pra, edhe mua m’u kanë bërë shtatë vite dhe po hyjmë në vitin e tetë. I di, sepse kam miq dhe shokë edhe në subjektet tjera politike. Nëse flasim edhe për sektorë të tjerë, të mos flasim vetëm për politikën, është e pamundur edhe në një organizatë, shembull edhe në Express, nuk mendoj se të gjithë njerëzit mund të jenë në një vijë. Të gjithë njerëzit të kenë një kënaqësi absolute. Gjithmonë, këtu mund të ketë pakënaqësi. Por, cila është ajo që s’mund të preket? Është e dobia e përgjithshme e organizatës. Të gjithë ne mund të kemi qëllime individuale, por nuk mund t’i tejkalojmë qëllimet e përgjithshme. Dhe, nëse qëllimi i përgjithshëm është që PDK të ecë, të avancohet, të freskohet, të ketë kuadro të reja profesionale, që sjellin vizione të reja, energji të reja, atëherë, unë mendoj se është mirë dhe i bën mirë edhe demokracisë.
Express: A do të marrin edhe ardhjet tjera pozita udhëheqëse në PDK?
B. Stavileci: Ne edhe këtu duhet ta bëjmë një dallim. Ne jemi një shtet, i cili për shkak të së kaluarës, por edhe kësaj faze të pasluftës, jemi një demokraci e re, jemi një demokraci kur ne në shumë sfera mundohemi, edhe në sektorin në të cilin jam, që t’i japim përparësi grave. Mendoj se kjo është një nga vlerat më të mëdha që ne i kemi dhe që duhet t’i vazhdojmë… Mendoj se në këtë periudhën e re do të duhej që gruas shqiptare, gruas kosovare t’i jepet sa më shumë përparësi. Edhe njëqind herë po të na pyesnin, e edhe mua personalisht, unë nëse për dikë do t’i anashkaloja rregullat dhe procedurat do të ishin pra gratë punëtore, të shkathëta, të zonjat për të bërë punë të mirë. Mendoj se edhe në këtë mes të mos lakohej vetëm për një emër. Duhet të flasim për të gjithë.
Express: Fatos Nano kur e ka marrë pushtetin në vitin 1997 thuhet se iu ka premtuar diku 500 zyrtarëve të partisë se do t’i bëjë ministra…. edhe anëtarët e rinj që po vijnë në PDK po thonë se do të bëhen ministra si Ramiz Kelmendi, tash edhe Margarita Kadriu?
B. Stavileci: E para, këto janë gjëra, të cilat është ende herët që të diskutohen. Mirëpo, secili i shpreh dhe është e drejtë legjitime për t’i shprehur ambiciet. Mendoj, se gjithë ata që synojnë një gjë të tillë është legjitime. E dyta, unë konsideroj se këto prurje që kanë ardhur te ne, të gjithë meritojnë që të kenë pozicione shumë të mira dhe të avancuara edhe në strukturën legjislative, por edhe në strukturën qeverisëse.
Express: Mirëpo, ata po thonë se kanë ardhur në PDK me premtimin se do të bëhen ministra?
B. Stavileci: Në këtë rast, nuk jam personi i duhur që do të jepte përgjigje në këtë sepse nuk ka të bëjë me mua, por ka të bëjë me ata. Por, nëse më pyesni se a e meritojnë – unë ju them se po e meritojnë – të jenë ose pjesë e strukturës legjislative ose pjesë e strukturës ekzekutive. Do të shihni edhe sot, edhe gjatë ditëve në vijim, se është ky ekip fitues.
Express: A po ua shuani pritjet prurjeve të reja se nuk do të bëhen të gjithë ministra?
B. Stavileci: Jo, jo, jo. Absolutisht, secili që e meriton dhe duhet bërë ministër.
Express: Por, shumë njerëz në Kosovë e meritojnë të bëhen ministra. Tash, duhet të bëjmë një Qeveri me 100 apo 1000 ministri?
B. Stavileci: Nuk është ashtu për shkak se secili prej tyre shprehë, ka shprehur, ose do të shprehë ambicien të tilla.
Express: Por, kemi rastin konkret, Ramiz Kelmendi e Margarita Kadriu kanë thënë se do të bëhen ministra?
B. Stavileci: Është e drejtë e tyre për të thënë dhe unë po të them që kur diçka e tillë do të behet realitet, absolutisht, është e merituar nëse vlerësohet se janë të përshtatshëm për këto pozita të caktuara. Është shumë herët të flitet për pozita.
Express: Me gjithë këto ambicie për ministra, a mund ta jetë Qeveria e ardhshme me 40 ministri apo 50?
B. Stavileci: Pse me 50 ministri? Janë 50 persona? M’i numëroni 50 persona që po mendoni se kanë shprehur ambicie për t’u bërë ministra.
Express: Njerëzit që po vijnë në PDK po thonë se do të bëhen ministra?
B. Stavileci: Jo, jo, nuk mendoj, edhe nuk lidhje kjo çështja e emrave me çështjen e strukturës së ardhshme të Qeverisë. Qeveria do të ketë aq ministri sa është e nevojshme. Por, ende nuk është folur për ato gjëra. Sigurisht, që do të ketë ristrukturime.
Express: Shumëkush, ka thënë se kjo Qeveri ka qenë më e madhja në rajon me 6 zëvendëskryeministra, 19 ministra e plotë zëvendësministra?
B. Stavileci: A do të duhej të matej puna e një qeverie ose një organizate me numrin e punëtorëve apo me projekte të realizuara.
Express: Por, kjo Qeveri ka pasur edhe skandale sikur rasti i pasaportave..?
B. Stavileci: Nuk pajtohem se ka pasur skandale shumë. Merrni të gjitha qeveritë e rajonit, shikoni numrin që po e përmendni si skandal. Nuk ka pasur ndonjë qeveri në rajon që ka pasur më pak se sa Qeveri e Republikës së Kosovës. Natyrisht, se ka pasur punë, të cilat nuk janë kryer, për këtë arsye edhe ka vazhdime të mandatit. Për këtë arsye mendojmë se ato punë që janë kryer neve na dallojnë nga të tjerët. Më tregoni për secilën prej subjekteve politike një projekt që e lidh me atë subjekt politik, ose një lider që asociohet me një lider të caktuar. Për PDK’në ka shumë të tilla, por e dimë se ka shumë punë që nuk janë kryer dhe do të kryhen gjatë mandatit të ardhshëm.
Express: Kohëve të fundit kemi parë aderime të anëtarëve të shoqërisë civile, këngëtarëve dhe artistëve. Kjo është komentuar si zëvendësim i komandantëve në PDK?
B. Stavileci: Jo. Përsëri po e them, se e di që njerëzit kam mendime të ndryshme, dhe secili ka të drejtë të vlerësojë në mënyrën e vet, origjinale atë që ndoshta e vështron nga jashtë dhe menjëherë e jep një konkluzion. Mendoj se nuk është ashtu dhe pjesa më e madhe nuk e mendon ashtu. Sepse PDK që nga fillimi e deri më sot i ka ruajtur të gjitha vlerat e veta. E ka ruajtur identitetin e saj. Por, si subjekt politike në e dijmë se sistemi, edhe njerëzit dhe gjithçka evoluon dhe natyrisht se evoluon edhe PDK’ja. Dhe, është gabim qoftë edhe ai vëzhgim nga jashtë që e jep një konkluzion të tillë. Sepse PDK dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e saj në të kaluarën për çka njihet si identitet i ka brenda dhe janë shtylla të fuqishme. Por, atyre po iu shtohen edhe personalitete shumë të fuqishme nga bota akademike, kulturore dhe intelektuale, të cilët po e pasurojnë PDK’në. E thashë, ekipit fitues po i shtohen edhe shumë vlera të reja dhe për këtë arsye avantazhi ndaj të dytës i madh.
Express: A do të jetë Azem Syla në listën për deputetë pasi është raportuar se ai ka hequr dorë?
B. Stavileci: Listat tona sipas të gjitha gjasave do të përmbyllen nesër. Do të ketë takime të Kryesive, të Këshillave Drejtuese, të Degëve, pastaj, do të diskutohet në Kryesi dhe të gjitha ato do të dalin në Këshillin Drejtues dhe tek atëherë mund të dimë se kush ku është. E thash, lista është fituese. Sikurse e thashë për ekipin po e them edhe për listën e cila do të jetë fituese.
Express: A do të ketë emra në listën e PDK’së me dosje kriminale?
B. Stavileci: Kur them se do të jetë listë fituese kam parasysh disa fakte, disa argumente, por edhe disa kritere. Mendoj se edhe Kryetari i partisë edhe eksponentë të tjerë kanë dhënë përgjigje në këtë. Ne do të mundohemi ta kemi listën më të mirë të mundshme ku natyrisht se do të ketë kritere të tilla sikurse ky që ju e përmendet.
Express: E përmendet se po i ruani vlerat e PDK’së. Dy prej njerëzve kryesorë të PDK’së nuk janë më në këtë parti, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi?
B. Stavileci: Kur e fola këtë nuk fola për këto dy personalitete.
Express: Por, deklaruat se i keni ruajtur vlerat?
B. Stavileci: Po, i kemi ruajtur.
Express: Por, këta dy njerëz tashmë janë jashtë PDK’së?
B. Stavileci: Pse a vetëm ata të dy e kanë përfaqësuar vlerat e PDK’së? Ka aq shumë njerëz brenda PDK’së që përfaqësojnë si identitet – edhe ekipin – sepse s’po flas për individë.
Express: A janë zëvendësuar Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj në PDK?
B. Stavileci: Nuk mendoj se dikush ka menduar ose mendon që dikë ta zëvendësojë. Për PDK’në është i pazëvendësueshëm roli, profili dhe identiteti që e ka për vlerat e luftës dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar për një Kosovë çfarë e kemi sot. Pastaj, individët janë çështje tjetër. Ka edhe të tjerë që ndoshta para disa vitesh nuk janë pajtuar, por nuk është bërë e madhe. Ka edhe sot dhe do të ketë edhe në të ardhmen që do të jenë. Por, askush nuk mund t’ia marrë PDK’së atë që ka përfaqësuar dhe përfaqëson dhe do të përfaqësojë. I vetmi dallim është se PDK’së po i shtohen kualitete të reja.
Express: Cili është vlerësimi juaj, sa do ta dëmtojnë PDK’në dy ish-zyrtarët e saj, Limaj e Krasniqi?
B. Stavileci: Nuk mund të flasim për zgjedhje pa numra. E vetmja që mund të flasim pa numra por duke e ditur disponimin dhe nga analizat e brendshme që kemi është që ne do të jemi fitues. Pastaj, mund të bëjnë analiza, ku sa kemi fituar më shumë e ku më pak. Në këtë moment, nuk shoh asnjë subjekt politik që mund ta dëmtojë PDK’në. PDK është e bindur në fitore jo vetëm se po e themi subjektivisht, por po e shohim terrenin dhe disponimin. Pastaj, analiza numerike do t’i bëjmë atëherë kur do t’i kemi rezultatet pas 9 qershorit.
Express: Megjithëkëtë, sa i përket numrave, në zgjedhjet lokale keni pësuar disa humbje të komunave kryesore si Mitrovica, Gjilani, Malisheva, Lipjani, Vitia…?
B. Stavileci: Atë që ka përfunduar dhe që i dimë numrat mund të flasim me një analizë më të saktë. Një fakt, përsëri i gjallë është se ne si parti e kemi ruajtur primatin.
Express: Me vetëm dhjetë mijë vota para partisë së dytë?
B. Stavileci: Edhe me një votë përpara primati ruhet. E kam thënë edhe më herët, nëse deri dje kemi fituar katër me një, në zgjedhjet e fundit kemi fituar katër me dy… Po e marrim shembull Ferizajn. A mendoni se votat në zgjedhjet e fundit do të shkojnë si në balotazh edhe tash si atëherë? Në balotazh shkuan të gjithë kundër njërit.
Express: Këtë arsyetim po e përdorin të gjithë kur është fjala për humbjet e pushtetit nëpër komuna?
B. Stavileci: Po të jap një premtim dhe do të flasim pas zgjedhjeve për të parë. Merreni shembull Ferizajn ose Mitrovicën. Do të flasim pas zgjedhjeve për të parë se sa është e fuqishme PDK’ja. Ju e keni parë diferencën në raundin e parë. Edhe përbërja e Asambleve Komunale jemi të parët. Do ta shihni zhgënjimin e qytetarëve me këto qeverisje të reja. Sado që është kohë e shkurtër për t’i parë rezultatet, ju e shihni se as edhe një punë nuk kanë nisur ta bëjnë. Përkundrazi, e keni parë rastin e Ferizajt se si janë mbyllur bizneset në ditën e Europës. Është e tmerrshme të ndodh. Qytetarët janë të zhgënjyer. Edhe ata po themi që kanë qenë të papërcaktuar do të votojnë për PDK’në. Nuk e them se vetëm PDK duhet të ekzistoj, por nëse e marrim kriterin e punës dhe projekteve të realizuara, unë mendoj se jemi bindshëm përpara.
Express: Të flasim pak për Prishtinën. Ende shumëkush thotë se PDK ia ka siguruar fitoren Shpend Ahmetit?
B. Stavileci: E di që PDK s’ka pasur një qëndrim zyrtar. Ajo çfarë ka ndodhur në Prishtinë, mendoj, se duhet të pyetet në radhë të parë Lideri i LDK’së, i cili ka pësuar humbje në nivel vendi, ka pësuar humbje personale. Mendoj se edhe vetë anëtarët e LDK’së duhej të merreshin me të dhe me humbjen e tij.
Express: Meqë jeni asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, cili është vlerësimi juaj për punën e Shpend Ahemtit?
B. Stavileci: Jo vetëm vlerësimi im, por edhe i shumë qytetarëve të Prishtinës, të cilët kanë pasur pritje dhe janë të zhgënjyer. Vlen e njëjta edhe për kryetarët e komunave me përjashtim të Mimozës në Gjakovë por edhe të Idrizit në Rahovec… Qytetarët janë të kënaqur si fillim i mbarë. Më thoni një gjë që e ka bërë Shpend Ahmeti qe gjashtë muaj? Nuk është vetëm mendim i imi.
Express: Por, Shpend Ahmeti thotë se kanë rritur transparencën, ka denoncuar korrupsionin në Prokurori…?
B. Stavileci: Nuk janë ato të arritura. Çfarë lidhen ato me qytetarin? Ato duhet marrë si pjesë normale e punës. Transparenca, nuk duhet marrë si diçka që është e arritur. Ajo duhet të jetë gjithmonë prezente. Denoncimet, nuk do të thotë se çka ka ndodhur vetëm në të kaluarën, do të ndodhë edhe diçka në të ardhmen. Pra, duhet gjetur rrugët dhe jo të shpenzohen 12 orë për gjëra të tilla, për gjoja për të diçka të mirë e në anën tjetër të mos punohet… Çfarë mund të thotë qytetari kur nuk sheh ndryshim? E di që brenda 6 muajve është periudhë e shkurtër, por as edhe një shenjë nuk kam parë. Mendimi im është që u mungon vendosmëria dhe guximi për të punuar dhe vepruar.
Express: Zyrtarët e Vetëvendosjes e thonë krejtësisht të kundërtën. Thonë se kanë guxim dhe vendosmëri për të vepruar?
B. Stavileci: Por, pse nuk po punojnë? Pse nuk nisin asnjë projekt të realizohet? Thuajeni se çfarë ka diçka që ka ndryshuar për këta gjashtë muaj? Mua nuk më intereson lufta politike në mes të LDK’së dhe VV’së se kush çfarë ka bërë, se kush do të dal triumfues. Nuk janë subjektet politike për atë, janë organet e drejtësisë. Subjektet politike që janë bartëse të proceseve, të institucioneve, ato duhet treguar rezultate të qeverisjes. Jo dukuri, jo të analizohen dhe të konstatohen dukuri. Përsëri, ajo është punë e tjetërkujt. Unë po mendoj se është keqkuptuar, ndoshta, edhe mandati. Mund thjesht të bëhen ato gjëra dhe i inkurajoj, por jo që ato ta ngulfasim për energji të tjera.
Express: Të kalojmë në Ministrinë e Bujqësisë. A do të synoni të rimerrni këtë pozitë pasi tash të gjithë po thonë se do të bëhemi ministra?
B. Stavileci: Ne dhe unë në këtë rast jemi pjesë e një subjekti politik. Në PDK është më vështirë se sa në paritë tjera për shkak se ka numër më të madh të personaliteteve të shquara që shquhen me cilësi dhe që janë të njohur edhe për opinionin e gjerë. Sikurse edhe herëve të tjera, edhe kësaj here, mendoj ta bëj punën, në mënyrën më të mirë të mundshme. T’i kontribuoj fitores së PDK’së dhe pastaj gjërat tjera janë për t’u diskutuar. Nuk jam prej atyre që mendoj se gjërat apo pozicionet në parti duhet të jenë -ndoshta atë që më bëre edhe ju në fillim si pyetje se pozitat janë të rezervuara për dikë – unë dua të jem pjesë e ekipit fitues dhe pastaj ku e shohim të arsyeshme Kryetari, Kryesia e Partisë për të qenë Blerandi, Blerandi aty do të jetë. Dhe, nuk e mendoj se është një temë që duhet të bëhej në lidhje me pozicionet në të ardhmen. Sepse synimi jonë i parë është që t’i fitojmë zgjedhjet me një avantazh të konsideruar ndaj të dytit.
Express: A mund të realizohet premtimi i Thaçit për investime prej 500 milionë euro në bujqësi dhe 50 mijë vende pune?
B. Stavileci: Njëqind për qind do të realizohet. Ne e kemi rezultatin e viteve të kaluara me 70 milionë euro kemi krijuar 7 mijë e 72 vende pune të përhershme. Dhe, janë mbështetur 70 mijë ekzistuese. Me këto formula ne kemi punuar edhe kur kemi definuar çështjen e buxhetit edhe për katër vitet e ardhshme. Pra, 500 milionë investime dhe 50 mijë vende të punës. Pra, formulë e ngjashme nëse konvertohet në shumë monetare tregon se me dhjetë mijë euro krijohet një vend i punës. Kryeministri i ka premtuar për katër vite.
Express: Isa Mustafa tha se do t’i investojë 1.2 miliardë euro.
B. Stavileci: Mendoj se është shembulli më i mirë i imitimit. Ata kanë thënë se doli PDK’ja me 50 mijë vende pune dhe 500 milionë investime, dikush aty, ka thënë se në po e bëjmë një miliard e 100 mijë vende të punës. Pastaj, dikush tjetër, pak më i mençur, duke i thënë se nuk po e japim këtë shifër sepse thonë na kanë imituar, ta rrisim pak dhe e kanë bërë 1.2 miliardë dhe 120 mijë punësime. Unë e bëj pyetje dhe njëjtë e kam bërë një koment, në 14 vite qeverisje në 48 fshatra të Prishtinës, me potencial të hatashëm bujqësor dhe blegtoral dhe as edhe një vend pune. Të tillët thonë vetëm 120 mijë vende pune. Qytetari e sheh dhe e jep përgjigjen dhe ne s’kemi as të hyjmë në detaje sepse as nuk e kanë atë program. Pra, thjesht është një imitim.
Express: Meqë folëm për shifra, Ministria e Bujqësisë ka blerë një traktor 51 mijë e 900 euro. Si është e mundshme që një traktor të kushtojë kaq shtrenjtë?
B. Stavileci: Mendoj se për Ministrinë flet dhe do të flasë raporti i auditimit. Ajo që është lakuar ka qenë më tepër rezultat i një frustrimi i disa njerëzve, të cilët një nate më herët nuk kanë kaluar mirë në një debat dhe pastaj janë munduar t’i ekzagjerojnë gjërat.
Express: Hajde ta sqarojmë çmimin e traktorit. A ka kushtuar mbi 51 mijë euro ai traktor?
B. Stavileci: Ministria e Bujqësisë në listën e zezë i ka 1317 fermerë të cilët kanë deklaruar rrejshëm ose kanë bërë malverzime të tjera. Sepse kjo nuk ka të bëjë me Ministrinë. Kjo ka të bëjë me fermerët dhe agrobizneset. Ne nuk e bëjmë procesin e prokurimit. Ne punojmë me procedura të BE’së
Express: Pronari që e ka marrë traktorin e ka nxjerrë në shitje?
B. Stavileci: Po traktori është i konfiskuar dhe mjetet janë kthyer mbrapa. Ne kemi edhe katër raste të tilla. Kemi treguar dhe kemi ndjekur rrugën ligjore dhe kemi ngritur procedura për t’i kthyer mjetet. Kësaj, i bashkëngjiten edhe 1317 fermerë që janë në listën e zezë që nuk mund të përfitojë nga Ministria e Bujqësisë.
Express: A është blerë 51 mijë e 900 euro një traktor?
B. Stavileci: Unë nuk e di sepse Ministria nuk bën procedura të prokurimit.
Express: Por, si Ministër duhet ta dini këtë?
B. Stavileci:Jo. Për të folur për gjëra të tilla duhet ditur procedurat. Ministria e Bujqësisë, programi i saj nuk është program që bëhet me prokurim dhe me tenderë. E bëjnë fermerët dhe kompanitë e tjera. Në mungesë të informacioneve, ata e kanë bërë një titull bombastik si tendencë personale që unë nuk e kam problem. Për punën time mund të flasin fermerët dhe agrobizneset dhe mund të shkoni te ta dhe të shihni se çfarë mendimi kanë për punën e Ministrisë. Dhe, e dyta, e marrim raportin e auditimit se ku ka qenë kjo Ministri në vitin 2004 dhe ku është sot pas dhjetë vitesh. Kjo e tregon më së miri për atë çfarë është bërë. Edhe ne e dimë se nuk jemi ta pagabueshëm. Por, me punën që është bërë e kemi ngritur nivelin e sektorit dhe mendojmë se mund të bëhen edhe shumë gjëra në të ardhmen kur do të kemi në dispozicion edhe 500 milionë euro në katër vitet e ardhshme.