Fundamenti

Status quoja që i përgjigjet Serbisë

/ 3 minuta lexim

Nga Shefik Sadiku – Ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, vetëm sa po harxhon para dhe kohë koti, sepse një normalizim në formatin çfarë po ndodh dhe në mënyrën si po ndodh, as që do të ndodh.

Pse mund të thuhet kështu ?
Serbia me gënjeshtrat e saj të përhershme arriti ta plasojë suksesshëm te të huajt gënjeshtrën më frytdhënëse për te se, “Serbia atë që e fiton në luftë, e humb në paqe”. Ky sllogan është i pavërtetë, e kundërta e saj është e vërtetë, pra Serbia atë që e humb në luftë e fiton në paqe. Nga të gjitha marrëveshjet e ashtuquajtura paqësore Serbia ka arritur t’i rrisi territoret e veta në dëm të fqinjëve, veçanërisht shqiptarëve. Mjafton të shikohen përfundimet e Paqes së Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit,Konferencës së Londrës. Si analogji e këtyre akteve, Serbia me çdo kusht synon edhe nga takimi Kosovë-Serbi të fitojë. Edhe përkundër mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e kishte kërkuar vetë Serbia për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës, ajo arriti që çështjen e statusit të Kosovës ta rikthejë në dialog.

Tani nga status quoja çka pret Serbia ?

Eco Higjiena

Serbia duke ditur të luajë lojën e dyfishtë është duke përfituar dhe do të përfitojë shumë. Koketimi i saj me Perëndimin dhe Evropën, kurse mbështetja tradicionale e saj te Rusia, po i sjellin asaj mjaft përfitime. Perëndimi dhe Evropa duke dashur ta joshin Serbinë për t’u larguar nga ndikimi rus po e stimulojnë duke investuar në ekonominë e saj. Në anën tjetër Serbia fort mirë po e luan lojën duke e shantazhuar Evropën me orientimin e saj pro rus. Në këto konstelacione vetëm sa përfiton Serbia. Ajo duke e kontrolluar Veriun e Kosovës dhe duke rritur presionin e formave jo violente te shqiptarët e Luginës së Preshevës po e bën fakt të kryer Veriun e Kosovës dhe Luginën pa shqiptarë.

Nga status quoja aktuale, ajo ka disa përfitime:
1. Thithë investime të majme nga perëndimi dhe Evropa
2. Veriu i Kosovës mbetet pa shqiptarë dhe kështu përgatitet që një ditë t’i bashkohet Serbisë si fitore e saj jo në luftë, por në paqe.
3. Lugina e Preshevës me trendin e shpërnguljes së shqiptarëve shpejt do ta ketë fatin e Medvegjës, ku shqiptarët përbëjnë popullsi jo më shumë se treshifrore.
4. Serbia duke mos qenë properëndimore e ruan praninë ruse.
Pra Evropa dhe Perëndimi që në fillim i kanë bërë shumë favore dhe ndihmë Serbisë, prandaj e kanë vështirë ta disiplinojnë. Gjendja e status quosë dëmton shqiptarët dhe në një farë mase edhe Evropën, sepse ndikimi i Rusisë
në këtë pjesë të Evropës përmes Serbisë mbetet i përhershëm.