Fundamenti

Stano tregon mesazhet që do t’i sjellë pesëshja BE-SHBA në Beograd dhe Prishtinë

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së, si dhe këshilltarët për siguri të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të vijnë në Prishtinë dhe Beograd të shtunën me qëllim të “bërjes së përparimit të prekshëm”.

Dhe në këtë drejtim bëhet fjalë për një përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe uljen e tensioneve, veçanërisht pas ngjarjeve në Banjskë në veri të Kosovës.

Kështu ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, përcjell Telegrafi.

Në të njëjtën kohë, siç thekson ky medium, burime diplomatike evropiane kanë thënë për “Beta” se zyrtarë të lartë të vendeve kryesore perëndimore do të shkojnë në Prishtinë dhe Beograd me një kërkesë jo vetëm për të ndalur përshkallëzimin në Kosovë, por edhe “fjalë për fjalë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të organizuar zgjedhjet në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe konkretisht të fillojë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”.

Stano ka theksuar se Miroslav Lajçak, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e sigurisë së presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Italisë, Emmanuel Bonn, Jens Pletner dhe Francesco Talo, do të shkojnë në bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq “me pritshmëri të qarta se të dyja palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe do të zbatojnë obligimet e tyre pa vonesë dhe pa kushte”.

Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe duhet të bëjnë gjithçka për të zbardhur sfondin, autorët dhe organizatorët e dhunës në Banjskë të 24 shtatorit, tha zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell.

Uji Dea

Sepse, sipas tij, Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë parasysh se Bashkimi Evropian, anëtarët e tij dhe SHBA-të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të fuqishme për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit.

Siç vë në pah agjencia serbe, diplomatët në selinë e BE-së theksuan veçanërisht se pesë zyrtarët e lartë perëndimorë do të kërkojnë nga kryeministri i Kosovës që të organizojë sa më parë zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës – dhe mënyra më e lehtë do të jetë dorëheqja e kryetarëve aktualë – dhe pa kushte të pranojë obligimin e Prishtinës për themelimin e ASK-së.

Beogradi, në të njëjtën kohë, duhet të dëshmojë se nuk ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në ngjarjet në Banjskë.

“Vuçiq duhet ta bëjë shpejt, sepse nuk ka durim të pafund në Bashkimin Evropian dhe disa masa tashmë po diskutohen në qarqet evropiane në rast se Beogradi nuk e bën atë që pritet”, citohet të kenë thënë burime diplomatike evropiane.

Ndërsa kur janë pyetur nëse Beogradi tani po bashkëpunon në hetimin e asaj që ndodhi në Banjskë, këta zyrtarë u përgjigjën se “nuk bëhet fjalë për një hetim gjyqësor-policor, por për përpjekje të forta për të marrë fakte të pakundërshtueshme nga të gjitha palët”. /Telegrafi/