Stano: Takimet e Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel janë për rrugën e të dyjave vendeve drejt BE-së

Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë takime të ndara në Bruksel javën e ardhshme.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë për Klankosova.tv se këto vizita nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për qëllim diskutimet e tyre rreth synimeve drejt anëtarësimit në BE dhe bashkëpunimit me institucionet e Unionit.

“Si rregull i përgjithshëm, institucionet e BE-së dhe përfaqësuesit e tyre ftojnë partnerë nga e gjithë bota rregullisht për vizita bilaterale në Bruksel për të diskutuar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin. Në rastin e partnerëve tanë nga Ballkani Perëndimor në këto takime përfshihen diskutime dhe përditësime rreth përpjekjeve drejt rrugës së tyre europiane dhe procesit të pranimit”.

Vuçiq do të pritet në Bruksel më 26 prill derisa mediat në Beograd raportuan se qëllimi i vizitës dhe bisedimeve midis kreut të shtetit serb dhe zyrtarëve më të lartë të BE-së do të jetë përshpejtimi i integrimit europian i Serbisë dhe se ai po shkon në Bruksel me ftesë të kryediplomatit europian, Josep Borrell, i cili do të organizojë një drekë pune për delegacionin e lartë nga Beogradi.

Ndërkaq, agjenda dhe se me kënd do të takohet kryeministri Kurti ende nuk janë bërë publike.

“Për takimet e tij për javën e ardhshme do të njoftohet të premten”, ka thënë Stano për portalin.

Në mesin e temave të diskutuara të Kurtit me krerët e lartë europianë mund të jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi, i cili është ndërprerë në dhjetor të vitit të kaluar.

BE po pret nga Qeveria e Kosovës që të ketë vëmendjen e plotë ndaj dialogut me Serbinë dhe ta konsiderojë atë si prioritetin kryesor të politikës së jashtme.

“Kur bëhet fjalë për prioritetet e Qeverisë, nuk ka konkurrencë në mes prioriteteve individuale. Prioritetet e brendshme të Kurtit janë shumë të rëndësishme. Por, në të njëjtën kohë dialogu është prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Kosovës dhe nuk duhet të shihet si i ndarë apo që s’përputhet me prioritetet tjera që i ka përmendur kryeministri”, pati thënë Stano për Klankosova.tv.

Të mërkurën, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se Kurti nuk do të takohet me Vuçiqin.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS