Fundamenti

Stano për deklaratat e Bislimit “eskalim-deeskalim”: S’komentojmë gjithçka që thotë dikush në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Numri dy i qeverisë së Kosovës dhe njeriu që ka mbi shpinë barrën e negociatave të Brukselit, Besnik Bislimi, në vazhdimësi është duke kërkuar që Bashkimi Evropian t’ia heq masat Kosovës meqë kushtet për de-eskalim sipas tij janë përmbushur. Në një intervistë për KTV, Bislimi ka thënë se BE-ja s’duhet ta detyrojë Kosovën që ta eskalojë përsëri situatën për të treguar që situata në Veri të vendit ka de-eskaluar. Por BE-ja në vazhdimësi ka qenë e qartë që masat për de-eskalim s’janë përmbushur ende, sa herë që Kosova ka kërkuar heqjen e masave.

Besnik Velija

Lidhur me këtë deklaratë të kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express ka folur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Stano ka thënë për Gazetën Express se Brukseli zyrtar nuk e ndjen të nevojshme që të komentojë “gjithçka që dikush thotë në Kosovë”.

Zëdhënësi i BE-së tutje ka thënë se pritjet e BE-së nga Kosova janë formuluar në mënyrë të qartë në një numër konkluzionesh të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme në kuadër të Këshillit të BE-së.

Stano ka thënë se BE-ja pret nga partnerët e saj që aspirojnë të anëtarësohen në BE që një ditë të sillen dhe të veprojnë në mënyrë evropianë dhe në linjë me pritjet. Ndryshe, thotë Stano, ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë vetëm do të izolohen edhe më shumë dhe rrezikojnë devijimin nga rruga për BE.

Hidromorava

“Nuk ndjejmë nevojë të komentojmë gjithçka që thotë dikush në Kosovë. Pritjet e BE-së nga autoritetet e Kosovës ishin formuluar shumë qartë në një numër konkluzionesh të Këshillit Evropian dhe konkluzioneve të GAC. Ne presim nga partnerët që aspirojnë të anëtarësohen në BE një ditë të sillen dhe të veprojnë në mënyrë evropiane në përputhje me këto pritshmëri. Përndryshe ata vetëm do të izolohen edhe më shumë dhe do të rrezikojnë një dalje nga binarët nga rruga drejt BE-së.”, ka thënë Peter Stano për Gazetën Express.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një intervistë më 14 shkurt ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian që BE-ja t’ia heq masat ndëshkuese. Ai ka thënë se kanë kërkuar nga Brukseli zyrtar heqjen e masave pasi situata në Veri ka de-eskaluar duke paralajmëruar që “Mos na detyroni me e eskalu situatën për me tregu që e de-eskalojmë prapë”.

“Unë po them, në qoftë se tash BE-ja thotë ‘e kemi edhe një kusht’, ato më pushojnë së qeni masa për de-eskalim. Marrin kuptim tjetër. Do me thënë ka tendencë që të njëjtin produkt me ta shitë pesë herë. Është keqpërdorim i masës. Dhe ne kemi thënë, masat duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit. Mos na detyroni me eskalu situatën për me tregu që e de-eskalojmë prapë. Situata në veri ka de-eskaluar. Tregoni që masat të cilat janë vendosë për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjikshme të futen”, ka thënë Bislimi.

Për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti sa i përket Veriut dhe refuzimit të ndërmarrjes së veprimeve për de-eskalim, Bashkimi Evropian më 28 qershor ka marrë disa masa kundër Kosovës, të cilat vazhdojnë të mbesin në fuqi. Gazeta Express kishte raportuar ekskluzivisht lidhur me vendosjen e masave.

Krerët e institucioneve të Kosovës në vazhdimësi i kanë cilësuar si të padrejta dhe joproporcionale dhe kanë kërkuar që të hiqen. Për heqjen masave BE ka kërkuar nga Kosova plotësimin e disa kushteve, që lidhen me de-eskalimin e ku përfshihen reduktimi i njësive speciale në Veri, largimi i kryetarëve të 4 komunave atje dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Në konkluzionet e Këshillit të BE-së të miratuara në dhjetor 2023 është konstatuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen në momentin që do të plotësohen kushtet e përmendura nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, të publikuara më 3 qershor./GazetaExpress/