Hidromorava

Stano: Normalizimi i marrëdhënieve objektiv i BE-së, njohja reciproke rrjedhë logjike e normalizimit

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Bashkimi Evropian tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk përfshin njohjen reciproke por njohja, sipas tij, është rrjedhë logjike në fund të procesit të normalizimit. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia do të përcaktojnë në fund të procesit se çfarë nënkuptojnë me normalizimin dhe cilat do të jenë pasojat e tij.

Stano e konfirmoi takimin e kryenegociatorëve Bislimi dhe Petkoviq që zhvillohet të marten në Bruksel pas takimit të dështuar të nivelit të lartë javën e kaluar.

Mobi Casa

“Mund të konfirmoj se nesër do të ketë takim në kuadër të dialogut Prishtinë- Beograd, në nivelin e kryenegociatorëve ashtu siç është paralajëmruar nga Përfaqësuesi i Lartë, të mërkurën e kaluar, pas takimit të nivelit të lartë të Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti. Prioritet i agjendës është përcaktuar nga një urgjencë e shkallës së lartë e fillimit të zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Objektivë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është normalizimi i marrëdhënieve. Kjo është detyra që i është dhënë BE-së si lehtësuese për të punuar duke ndihmuar të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve. Nuk ka njohje aty, por natyrisht se rrjedhë logjike e normalizimit do të jetë njohja. Por kjo është diçka larg në proces dhe pesë vendet anëtare mosnjohëse të BE-së do ta marrin vendimin e tyre bazuar në atë se çfarë shohin të jetë e domsodoshme dhe relevante. Kjo nuk është një çështje me të cilën merremi në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Detyra është normalizimi i marrëdhënieve, por cili është definimi i normalizimit në fund kur të arrijmë aty, ose më mirë kur palët të kenë arritur aty me ndihmën tonë, do të përcaktohet nga vetë ato se çfarë nënkuptojnë me normalizim dhe cilat do të jenë pasojat e normalizimit. Sërish mandati i dialogut dhe për BE-në është të punojë që ta ndihmojë Kosovën dhe Serbinë të normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe kjo është diçka që po e bëjmë”, tha Stano.