Fundamenti

Stano: Jemi në pritje të raportit zyrtar për hetimet në Banjskë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Bashkimi Evropian është akoma në pritje të raportit final të hetimeve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano, teksa ka refuzuar që të komentojë takimin e zhvilluar në mes të ambasadorit serb në Amerikë, Marko Gjuriq dhe kryekriminelit Milan Radoiçiq, i cili edhe vet e ka pranuar organizimin e këtij sulmi.

“Nuk na takon neve të komentojmë për secilin takim të përfaqësuesve të administratës serbe. Por kënd e takoni ju, kjo para së gjithash flet për vet juve, veçanërisht nëse është fjala për takim me një të dyshuar për aktivitete kriminale. Por kur është fjala për sulmin në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë. Jemi në pritje të raportit zyrtar përfundimtar nga hetimet dhe më pas do të shohim se si do të sigurohet llogaridhënia. Deri më tani, ne nuk kemi parë një raport të tillë, këtu në Bruksel”, tha Stano.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, sulmin e 24 shtatorit e kishte cilësuar terrorist. Megjithatë, Bashkimi Evropian nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim drejt vendosjes eventuale të masave për shkak të Banjskës, duke u thirrur në domosdoshmërinë e përfundimit të hetimeve zyrtare, të cilat duhet t’i zhvillojnë autoritetet e Kosovës.

UBT

Ndonëse anashkalojnë të adresojnë përgjegjësit kryesorë për këtë sulm, zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdojnë të insistojnë se kryerësit e veprës duhet të përgjigjen penalisht. Brukseli vazhdon të mbrojë qëndrimin se është i gatshëm të ndërmarrë masa kur të verifikohet përgjegjësia për këtë sulm.

Lidhur me këtë, rregullisht i bëhet ftesë Serbisë që të bashkëpunojë në hetime dhe të sigurojë që kryerësit të sillen para drejtësisë.