Stankoviq: Medvegja me vendkalim të plotë administrativ

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Trupit Koordinues i Qeverisë të Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, sot për herë të parë që nga emërimi i tij në këtë post ka vizituar komunën e Medvegjës.

Stankoviq gjatë vizitës së tij fillimisht është takuar me kryetarin e komunës Sllobodan Drashkoviq, me zëvendëskryetarin Florim Sahiti dhe me kryetaren e Kuvendit Komunal Natasha Filliq. Pastaj, Stankoviq është takuar edhe me përfaqësuesit e këshillave komunalë të partive politike në Medvegjë.

Në këto takime ndër të tjera është diskutuar për mjetet e pakthyeshme që ka ndarë Trupi Koordinues për biznese të mesme dhe të vogla për komunën e Medvegjës në shumë prej 8 milion dinarë.

“Ka pasur shumë kërkesa. Me rëndësi është se ne kemi njoftuar vetëqeverisjen lokale dhe njerëzit se në çfarë mënyre janë ndarë mjetet e pakthyeshme për afaristët, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kemi pasur vërejtje të caktuara nga ana e një numri të pronarëve të bizneseve të vogla dhe të mesme të cilët nuk kanë qenë të kënaqur me ndarjen e mjeteve, duke marrë parasysh se vetëm tre firma nga Medvegja kanë fituar shumën prej 8 milion dinarë. Jemi dakorduar se nëse ka lëshime, dhe nëse ato vërtetohen, personat kompetentë të sankcionohen, por kam thënë se vitin e ardhshëm do të ipen 60 milion mjete për ndërmarrje të mesme dhe të vogla dhe se ato do ti ndajmë në bashkëpunim me njerëzit që udhëheqin ekonominë”, ka deklaruar Stankoviq.

Më tej ai ka shtuar se në takime është diskutuar edhe për funksionalizimin e vendkalimit në komunën e Medvegjës në kufi me Kosovën.

Uji Dea

“Kemi biseduar edhe për atë që vendkalimet që ekzistojnë në territorin e komunës së Medvegjës, të jenë jo vetëm vendkalime për njerëz por ato të jenë edhe vendkalime ku do të kryhen punët doganore, ku do të kalojë edhe malli përtej vijës administrative. Domethënë, nuk do duhej që një kamion nga Medvegja të shkojë nëpërmes Konçulit, gjegjësisht nëpërmes Merdarës, por ky vendkalim të aftësohet për funksionim. Gjithashtu, vendkalimet përgjatë vijës administrative të jenë të caktuara ashtu që njerëzit që kanë prona nga njëra dhe ana tjetër të vijës administrative ti shfrytëzojnë ato në mënyrë të duhur, që të mos shkojnë 50 apo 60 kilometra për të punuar tokën e tyre”, ka thënë Stankoviq.

Prefekti i komunës së Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq, pas takimit me kryetarin e Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq, e ka bërë të ditur se pret nga Trupi Koordinues të ndihmojë sa më shumë në fushën e infrastrukturës. Me këtë rast ai gazetarëve u tha se dekanëve të fakultetit ekonomik dhe atij juridik të Universitetit të Nishit, gjatë ditës, sipas protokollit, do t’ua prezantojë edhe projektin që ka të bëjë me zgjerimin e godinës së fakulteteve në Medvegjë.

Ky projekt sipas Drashkoviqit do të ndihmojë që studentët të mund të vijojnë ligjëratat pa pengesa.

“Tani për tani ka kushte por nëse vazhdon tendenca e regjistrimit të mëtejmë mendoj se do të duhet të bëjmë projekt. Ne jemi të përgatitur me projekte, jemi të përgatitur për përgjegjësi, unë si prefekt qëndroj në dispozicion për të gjitha institucionet”, përfundoi Drashkoviq transmeton medvegjanet.