Standardet profesionale në gazetarinë kosovare kanë mbijetuar

Gjilan – Në një tryezë të organizuar nga OSBE rreth temës :”Promovimi i standardeve profesionale të raportimit dhe etikës së gazetarisë”, panelistët Agron Bajrami, Musa Sabedini, Imer Mushkolaj, Alban Zeneli, Nehat Islami, Teuta Zubaku, Flutura Kusari u tha se gazetaria kosovare edhe pse në rrethana të vështira në një situatë tranzicioni ajo megjithatë arriti të mbijetojë duke respektuar edhe standardet profesionale.
Gazetarët e Anamoravës kanë pasur rastin të debatojnë të premtën me panelistët dhe gazetarët e njohur kosovar. Në tryezën e organizuar nga OSBE-ja : ”Promovimi i standardeve profesionale të raportimit dhe etikës së gazetarisë” u tha se gazetarët kosovar ende ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme, raporton rajonipress.
Në këtë tryezë nga panelistët dhe gazetarët e pranishëm u fol për standardet profesionale të raportimit në mediat e shkruara, ato transmetuese dhe mediat online në Kosovë.
Tryeza sipas Arben Hajredinajt zyrtar vendor i programit pranë OSBE-së në Kosovë punëtoria ka për qëllim specifik ngritjen e debatit në lidhje me cilësinë e raportimit në media lokale, respektimin e kodeve të etikës dhe zbatimin e standardeve profesionale të raportimit të gazetarisë, dhe se si kjo ndikon në gazetari si profesion dhe te publiku si shfrytëzues i lajmeve dhe të informacionit.
Senad Kamenica këshilltar i lartë për media – Sektori për media Departamenti për Demokratizim, Misioni i OSBE-së në Kosovë tha se zbatimi i standardeve është element i rëndësishëm që mediet dhe gazetarët mos të gabojnë gjatë ushtrimit të profesionit.
Agron Bajrami kryeredaktor në “Koha Ditore” dhe panelist tha se standardet profesionale nuk janë letër që duhet të funksionojnë sepse ato përvetësohen me kohë gjatë ushtrimit të profesionit.
Bajrami tha se fatkeqësisht në Kosovë gazetarët ende keqtrajtohen sepse nuk kanë kontrata pune dhe pagesa është e dobët. Sipas Bajramit pavarësisht se në Kosovë ka mungesë të theksuar të profesionalizmit megjithatë në vija të përgjithshme kjo gazetari ashtu çfarë është në Kosovë ka arritur t`i mbijetojë standardeve profesionale.
Musa Sabedini kryetar i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” themelues i Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress dhe ligjërues i gazetarisë në UBT tha se zbatimi i standardeve profesionale lidhet me edukimin dhe përgatitjen profesionale të gazetarëve. “Kur gazetarët janë profesionist dhe të përkushtuar në punë atëherë zbatimi i standardeve dhe etikës është shumë më i thjeshtë dhe më i lehtë i realizueshëm”.
Sabedini tha se megjithatë shqetësuese mbetet fakti se gazetarët ende kanë nevojë për trajnime dhe arsimim cilësor.
Flutura Kusari, Zyrtare ligjore, BIRN/ Jeta në Kosovë duke folur për kornizën ligjore e aplikueshme për media dhe gazetarë në rastet e shkeljes së dispozitave ligjore si dhe pasojat kundrejt raportimit të tyre dhe kufizimet ndaj lirisë së shprehjes tha se Kosova ka legjislacion të mirë juridik. “Ekziston baza e mirë ligjore për të trajtuar e mbrojtur çdo rast ku viktima janë gazetarët ose anasjelltas” tha Kusari.
Nehat Islami, Drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës duke folur për Implementimin e kodeve të mirësjelljes për mediat e shkruara dhe elektronike dhe pasojat për mosrespektimin e tyre për vetë profesionin e gazetarisë dhe publikun tha se rregullat janë të njëjta si për portale, media të shkruara apo TV. “Askush dhe asnjë medium nuk mund të ikë nga kodet e rregullat e aplikueshme” tha Islami.
Imer Mushkolaj, gazetar, Zëvendës Kryetar i bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës duke folur për rëndësinë e etikës së gazetarisë për mediat e shkruara dhe elektronike tha se gazetarët kosovar në shumicën e rasteve e respektojnë etikën e gazetarisë e cila edhe është e lidhur me standardet profesionale.”Unë jam i shqetësuar me gjendjen tek portalet tek të cilat ende kemi një kaos për shkak se nuk i kontrollon askush. Ka portale që qëllimisht e shkelin kodin e etikës dhe kjo nuk na bënë të ndihemi mirë” tha Mushkolaj.
Alban Zeneli, Ligjërues, nga Departamenti i Gazetarisë, Universiteti i Prishtinës, anëtar i Unionit të Gazetarëve të Kosovës tha se nëse dëshirojmë të kemi media profesionale atëherë duhet të kemi gazetar të edukuar dhe të arsimuar.”Edukimi medial është i pashmangshëm dhe kjo fazë madje duhet të fillojë qysh nga shkolla e mesme ku duhet të kemi lëndë të veçantë për gazetarinë” tha Zeneli.
Edhe Teuta Zubaku, Drejtoreshë e Departamentit të Monitorimit, Komisioni i Pavarur për Media ka thënë se gjatë fushatës së fundit të 8 qershorit shumica e medieve kanë raportuar drejtë dhe në mënyrë objektive./rajonipress/