“Stançiqi i Karadakut” – Një libër monografik me vlera të shumta studimore

Nga Emin Azemi – Sikur të deshifrohej koloriti i ngjyrave, ky libër monografik do ti përngjante një tablloje të madhe në të cilën autori ka pikturuar fytyrat e qeshura dhe të mrrolura të njerëzve të fshatit të tij dhe ka skicuar një mori ngjarjesh, duke i ndërlidhur këto me veprimtarinë e përditshme të banorëve të cilët janë të ndërvarur me punët e tyre të përditshme në mal, në ruajtjen e bagëtisë , në ndejat e dimrit pranë oxhakut, si dhe në cicërimën e ngrohtë të fëmijëve që gjysmën e ditës ruajnë bagëtinë, kurse gjysmën tjetër e kalojnë në shkollë.

Libri monografik STANÇIQI I KARADAKUT i profesorit dhe intelektualit Rahim Azemi është biografia e një vendbanimi të braktisur që dikur kishte gjallëri, historinë e të cilit e shkruajtën burrat dhe gratë, pleqtë dhe të rinjtë e këtij fshati. Ky libër provon të dokumentojë dhe të sjellë në vëmendjen e lexuesit grafikonin demografik, historik, gjeografik, social, kulturor , arsimor të një vendbanimi i cili shquhet me njerëz që bënin jetë të rëndë, që merreshin me punët e malit dhe të tokës, me blegtori dhe zejtari ku druri ishte lënda e parë, si dhe me njerëzit që kapërcenin kufinjt e fshatit dhe ia nderonin atij emrin me punë dhe vepra të vyera.

Autori Rahim Azemi në librin e tij monografik, përpos që ka përmbushur një obligim intelektual e kombëtar, ia ka dalur të shpie në vend edhe një amanet të të parëve të tij që historia e këtij fshati të mos mbetet vetëm objekt gojëdhënash e legjendash nëpër oda e ndeja të ndryshme, por të jetë edhe një detyrim profesional ndaj vendlindjes, duke e nxjerrë atë nga harresa dhe pakujdesia institucionale. Ky detyrim po ndodhë tani, kur autori me bagazhin e njohurive dhe përvojës iu ka qasur një pune që ka kërkuar shumë mund, ka kërkuar hulumtime në terren dhe në arkiva dhe mbi të gjitha ka kërkuar qasje objektive ndaj ngjarjeve, njerëzve e proceseve historike, sociale, arsimore nëpër të cilat ka kaluar fshati Stançiq. Komponenten e objektivitetit ky libër do ta përmbush nëse çdo banor i këtij fshati e gjen veten aty, me të gjitha dimensionet e përfaqësimit dhe përshkrimit të gjendjes faktike, si në planin individual, ashtu edhe në atë kolektiv.

Nëse ndodhë kjo, dhe nuk kemi kurrfarë dyshimi se kështu do të jetë, atëherë jo vetëm prof. Rahim Azemi, por të gjithë njerëzit e këtij fshati në njëfarë forme janë autorë të këtij libri monografik, sepse ai u projektua me shumë dashuri që të jetë edhe një radiografi e së kaluarës dhe të sotmes, por pse jo edhe një vizion i së nesërmes, sepse sa më shumë dashuri për vendlindjen, aq më atraktive bëhet ajo në shumë plane. Kjo po dëshmohet edhe me interesimin dhe kureshtjen e banorëve të dikurshëm të këtij fshati që të rikthehen sërish aty, duke e shndërruar vendlindjen në vendbanim të dytë të tyre. Pasi ta kemi lexuar këtë libër monografik, do të mund të veçojmë specifikat dhe të përgjithshmet që përshkojnë këtë vendbanim, e që është objekt trajtimi studimor nga ana e autorit.

Sa i përket specifikave, ato ndërlidhen me vet historinë e banorëve të këtij fshati, me karakterin etnopsikologjik të tyre, me ngjyrimet dialektologjike-gjuhësore, me talentin , afinitet dhe prurjet e tyre ndaj arteve dhe lojërave të ndryshme popullore, ndaj humorit si dhe me një sërë veçorish tjera që janë tipike për këtë fshat. Ndërkaq, të përgjithshmet e këtij fshati ndërlidhen me kontekstin e gjerë gjeografik, historik e social në të cilin ndodhet. I shtrirë në juglindje të Kosovës, në kufij të hapësirave kadastrale të komunave Gjilan, Viti, Kumanovë dhe Preshevë, fshati Stançiq përshkon vijën fundore të Karadakut të Gjilanit dhe është nervatura më aktive e ndërlidhjes rajonale në një trekëndësh shtetesh, të cilat dikur ishin një hapësirë administrative-shtetërore.

Nëpër hapësirat e këtij fshati kalojnë disa rrugë rajonale, të cilat dikur kishin rëndësi jetike për komunikim në mes të Shkupit e Prishtinës, atëherë kur funksiononte Ipeshkvia Shkup – Prizren, brenda së cilës kishte një komunikim më intensiv në mes të dioqezave, atëherë kur lidhjet në mes të Shkupit dhe Letnicës e Stubllës bëheshin më të dendura duke përdorur edhe rrugët që kalonin nëpër fshatin Stançiq. Pra, ky fshat ishte njëfarë nyje që lidhte Karadakun dhe Anamoravën, Shkupin me Gjilanin dhe Vitinë.

Duke qenë pikë e pashmangshme ndërlidhjeje rajonale, Stançiqi edhe sot është rikthyer në të njëjtat parametra komunikimi, sidomos me hapjen e vendkalimit Stançiq-Bellanoc, ku qarkullimi i njerëzve dhe mallrave i është kthyer ditëve më të mira kur kjo rrugë dikur shërbente për të lidhur malësorët e Karadakut me rrafshin e Kumanovës, sidomos ditëve të tregut kur nxirreshin në shitje, përpos lëndëve drusore, edhe bimët dhe frutat e malit, prodhimet blektorale dhe ndonjë vegël pune që punohej nga mjeshtrit e dalluar të fshatit tonë.

Sikur të deshifrohej koloriti i ngjyrave, ky libër monografik do ti përngjante një tablloje të madhe në të cilën autori ka pikturuar fytyrat e qeshura dhe të mrrolura të njerëzve të fshatit të tij dhe ka skicuar një mori ngjarjesh, duke i ndërlidhur këto me veprimtarinë e përditshme të banorëve të cilët janë të ndërvarur me punët e tyre të përditshme në mal, në ruajtjen e bagëtisë , në ndejat e dimrit pranë oxhakut, si dhe në cicërimën e ngrohtë të fëmijëve që gjysmën e ditës ruajnë bagëtinë, kurse gjysmën tjetër e kalojnë në shkollë. Kur jemi te fëmijët, na ka bërë përshtypje angazhimi i autorit, që me pedantëri të përsosur ka nxjerrë nga arkivat listën e nxënësve që kaluan nëpër bankat e shkollës së Sançiqit, disa prej të cilëve pastaj u bënë emra të shquar në fusha të caktuara.

Kush janë banorët e këtij fshati, etimologjia e emrit të fshatit, pozita gjeohapësinore e fshatit Stançiq… relievi, klima, hidrografia, flora dhe fauna, toponimet dhe mikrotoponimet, ekonomia fshatare, rrethanat shoqërore e historike nëpër të cilat kaloi fshati, unifikimi i bashkëjetesës fshatare, lëvizja kaçake, vullnetarët e Stançiqit në Luftën e Preshevës, të mobilizuarit në betejat e huaja, krimet partizane mbi popullatën civile të fshatit, Lufta e Kikës, Masakra e Tivarit, puna angari, tepricat, ose i ashtuquajturi ‘vishaki’, aksioni i mbledhjes së armëve, shpërngulja gjegjësisht migrimi fshat-qytet, kultura materiale dhe shpirtërore e fshatit, familjet patriarkale dhe religjioni, pleqnarët – të gjitha këto dimensione kuptimore e përmbajtësore përbëjnë korpusin e përgjithshëm tematik të librit i ndarë në nëntë kapituj dhe në disa nënkapituj. Shtjellimi i këtyre dimensioneve, ka pasur për bazë një hulumtim shterues e argumentues nga ana e autorit, duke përdorur disa metoda hulumtimi dhe duke nxjerrë në pah fakte të panjohura, por shumë të nevojshme për studime më të thelluara nga fusha të ndryshme të demografisë, historiografisë, etno-psikologjisë etj. Për rrjedhojë, ky libër monografik përpos lëndës së pasur që ofron, na udhëzon edhe si t’i qasemi kësaj lënde, duke i marrë si pika orientimi pikërisht metodat hulumtuese të autorit.

Prandaj lexuesi nuk do ta ketë problem ta kuptoj zhvillimin evolutiv të banorëve të këtij vendbanimi malor, pasi që objektivi hulumtues i autorit është bazuar në metodën dialektike-materialiste, ose nëse lexuesi dëshiron të thellohet pak më tepër në rrjedhat kronologjike të ngjarjeve të shkruara, që nga zanafilla deri më sot, do të ketë si referencë metodën historike të autorit. Dallimet në mes të periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat kaloi fshati Stançiq si dhe të kuptuarit e vlerave dhe virtyteve morale të njerëzve që kanë udhëhequr fshatin, kanë qenë gjithashtu objekt observimi e studimi nga ana e autorit, e që është bërë e mundur në saje të hulumtimit të bazuar në metodat komparative e normative. Që ky hulumtim të jetë edhe më i thelluar, autori ka përdorur edhe metodat tjera, sikundër janë: empirike, analitike e sinetitike, induktive, deduktive, intervistat, metodat psikologjike etj. kurse për të qenë më bindës në argumentimin e tij ai është mbështetur në tre parime themelore: objekti, qëllimi dhe hulumtimi shkencor, me një lidhshmëri strukturore brenda librit, i cili është krijuar si brumë nga materiali teorik dhe ai i mbledhur në terren.

Si çdo vepër tjetër, edhe ky libër monografik i Rahim Azemit, pasi ta kemi lexuar, do të na lë disa gjurmë në shiritin e impresioneve dhe kujtimeve. Në radhë të parë do të mësojmë se, në bazë të hulumtimeve të autorit, Stançiqi për herë të parë si vendbanim është përmendur në vitin 1519, pastaj nga ky fshat banorët e tij shkuan në disa drejtime, morën disa profesione dhe mbaruan disa universitete (152 veta, disa prej tyre edhe me grada shkencore). Gjithashtu emrin e fshatit Stançiq e nderuan me virtytet dhe veprimet e tyre, edhe disa bashkëfshatarë tanë, të cilët u dalluan me angazhimet e tyre direkte në luftërat vullnetare që u zhvilluan në Karadak dhe gjetiu, përfshi edhe luftën e fundit të UÇK-së,por edhe disa të tjerë të cilët pa vullnetin e tyre u mobilizuan dhe u dërguan në betejat e huaja në Jemen, në Çanakala, në Srem, pa munguar edhe ata që përjetuan tmerret e masakrës së Tivarit.

Fshati Stançiq, siç rezulton nga burimet që na i ofron autori Rahim Azemi, i pati edhe kaçakët e vet, pleqnarët e vet, valltarët e vet dhe instrumentistët e vet. Një fshat që kishte kultivuar traditën e odës, si simbol të mikpritjes dhe debatit kanunor, që kishte përjetuar peshën e pushtimeve të huaja dhe që kishte qenë i ekspozuar ndaj erozionit demografik të shpërnguljes dhe migrimit, nuk mund të mos jetë personazhi kryesor kolektiv i këtij libri monografik, i cili u shkrua me dashuri e përkushtim nga një bir i devotshëm i këtij fshati, i cili gjithë karrierën e tij profesionale e pedagogjike e ngriti mbi parimet e ndershmërisë njerëzore dhe objektivitetit. “Stançiqi i Karadakut” – është një libër monografik me vlera të shumta studimore, botimi i të cilit plotëson një boshllëk por përmbush edhe një obligim profesional e njerëzor, kurse Rahim Azemin e rangon në listën e autorëve hulumtues, që si pasion ka të vërtetën dhe argumentin shkencor.

Uroj që kjo vepër të nxisë edhe përpjekje të tjera studimore, që do ta begatonin opusin e përgjithshëm krijues e shkencor, ku fshati Stançiq nuk do të trajtohej vetëm si një vendbanim i braktisur, por edhe si një destinacion turistik e rekreativ. /rajonipress/

Shkup,
10 dhjetor, 2021

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS