GRANDEMALL

Stagnim apo zhvillim ekonomik në vitin 2013?

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Berat Rukiqi – Bërja e bilanceve ekonomike në fundvit është një temë e rëndësishme në analizat e mediave, politikëbërësve dhe vendimmarrësve dhe shoqërisë në përgjithësi. Katër viteve të fundit termi “krizë” është sinonim i ekonomisë globale, që po përballet me një cikël krizash të vazhdueshme jo vetëm të sektorit financiar por edhe të sektorit real.

Fundviti 2012 na ka treguar shenjat e para të rimëkëmbjes ekonomike, sidomos nëse merret parasysh fakti që në SHBA ky vit mbyllet me normën me të ulët të papunësisë në 4 vitet e fundit, ulje të kostos së kreditimit për vendet e Eurozonës, sidomos ato në krizë (Spanja, Greqia dhe Italia), si rezultat i programit të Bankës Qendrore Evropiane për blerje të obligacioneve dhe dhënies së dritës së gjelbër nga ana e Gjykatës Kushtetuese Gjermane për Mekanizmin Evropian për Stabilitet. Një aspekt tjetër që jep shenja optimiste për tejkalimin e ngadalshëm të krizës në Eurozonë është edhe rritja e rejtingut kreditor për Greqinë nga agjencia kredibile “Standard & Poor”.

Në tërë këto konstelacione globale të përshkruara me sfida të vazhdueshme në tejkalimin e krizave ciklike, është krejtësisht e dukshme që kemi edhe reperkusione negative për rajonin e Evropës Juglindore. Raporti i fundit i Bankës Botërore ( Raporti i rregullt ekonomik për vendet e Evropës Juglindore, Nr. 3), i publikuar javën e kaluar na saktëson trendet për të gjithë treguesit makroekonomikë dhe zhvillimorë për vendet e këtij rajoni. Në të gjitha vendet e rajonit kemi recesion (përjashtim Kosovës), ulje të Investimeve të Huaja Direkte dhe eksporteve dhe me sfidë kryesore papunësinë dhe krijimin e pamjaftueshëm të vendeve të reja të punës. Edhe në vitin 2013 perspektiva për rajonin parashikohet e zymtë me një normë mesatare të rritjes ekonomike mjaft modeste dhe të pamjaftueshme, përkatësisht 1.6% me tendenca të uljes. Ajo që e rëndon parashikimin për këto ekonomi është shkalla e investimeve private e dëmtuar nga shkalla e ulët e produktivitetit, mungesa e komplementaritetit me investime publike, shtrëngimi i kushteve të kredidhënies dhe fuqia e ulët blerëse. Si reflektim i krizës në nivel globale, edhe kërkesa e jashtme mbetet mjaft e ulët gjë që ndikon negativisht në eksport.

Nëse analizohet në raport me vendet e rajonit, Kosova mbetet një përjashtim sa i përket rritjes ekonomike (pritjet për vitin 2012, sipas Raportit të Stabilitetit Finaciar të Bankës Qendrore të Kosovës, janë që rritja ekonomike do të jetë nën 4 %), duke shënuar normë pozitive të rritjes në vazhdimësi, por ende larg projeksioneve për normë të rritjes ekonomike 8%, e vlerësuar si normë e rritjes që do të ndikonte direkt në uljen e shkallës së papunësisë. Realisht në këtë pikë, pra në potencialin e ulët për gjenerim të rritjes ekonomike që do të prodhonte efekte zhvillimore, ngërthehen edhe sfidat për ekonominë e vendit për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Të gjithë mekanizmat kredibil ndërkombëtar dhe institucionet financiare e theksojnë rëndësinë e investimeve publike dhe remitencave në mbajtjen e trendit të rritjes ekonomike. Por ajo që rekomandohet është krijimi i kushteve që sektori privat të jetë gjenerator i rritjes ekonomike, si burim i qëndrueshëm për rritje dhe zhvillim.

Në kushtet kur ne po mbyllim vitin me vlerësime që investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie rreth 50% në raport me vitin e kaluar, kur regjistrojmë rekord negativ në deficitin tregtar dhe të ballafaquar shtrëngim të kredidhënies që prodhon efekte direkte në konsum dhe investime, është mese e nevojshme që politikëbërësit të ridizajnojnë qasjen në raport me adresimin e çështjeve akute të zhvillimit ekonomik, përkatësisht të orientohen në prioritizim të reformave dhe vënie të reformave në funksion të zhvillimeve konkrete dhe jo në funksion të ranglistave të ndryshme të raporteve të ndryshme ndërkombëtare. Duke pasur parasysh faktin që një tekst i vetëm nuk mund të ofrojë zgjidhje dhe rekomandime për çdo aspekt të sfidave ekonomike, në vijim janë të parashtruara 4 prioritete të përgjithshme afatshkurta për ekonominë e vendit në vitin 2013.

1. Informaliteti dhe konkurenca jo-lojale: Implementimi i IBM-it është një momentum që ulja e evazionit fiskal dhe luftimi i kontrabandës ti shërbejnë zbatimit të një plani gjithëpërfshirës në zvogëlimin e informalitetit, sidomos në rritjen e kërkesës për raportim financiar kredibil, përdorim të arkave fiskale dhe evidentim të numrit të saktë të vendeve të punës në çdo ndërmarrje që ka numër fiskal. Efektet nuk janë vetëm në rritjen e buxhetit, por edhe në sigurimin e kushteve që çdo investitor vendor apo i huaj të operojë në konkurrencë fer. Duke pasur parasysh efektet direkte në rritjen e buxhetit, është mese e nevojshme që të rritet numri i inspektorëve tatimorë dhe rritja e shkallës së kontrollit të brendshëm cilësor brenda Administratës Tatimore të Kosovës.

Hidromorava

2. Lehtësimi i qasjes në kredi dhe instrumente financiare: Duke ndryshuar bazën për funksionimin e sistemit bankar, të krijohen mundësi për një rritje të instrumenteve financiare në dispozicion për institucionet financiare, sektorin privat dhe konsumatorët, pasi që deri tash kemi një qasje mjaft konservative sa i përket përdorimit të instrumenteve financiare të limituara në depozita, kredi dhe garancione bankare. Gjithashtu në rast të vazhdimit të ngadalësimit të dhënies së kredive, të shqyrtohet mundësia që bankave t’ju kufizohet plasimi i mjeteve në tregjet financiare të vendeve tjera

3. Të shpejtohet reforma strukturore, reforma fiskale dhe reformat në mjedisin biznesor: Besohet fuqishëm që vendet që nuk kanë kryer reform strukturore si: Spanja, Greqia, Italia dhe Sllovenia, janë duke i bartur pasojat e liberalizimit të ngadalshëm dhe tendencës për prani të madhe të shtetit në operacione biznesore të kompanive në sektorin e telekomit, energjisë dhe sektorin bankar. Kjo është një arsye shtesë që Kosova duhet të implementojë shumë shpejt reformën strukturore në energji dhe telekom që në aspekt afatshkurtër rrit numrin dhe cilësinë e shërbimeve për bizneset dhe qytetarët, ndërsa në aspektin afatmesëm sjell ndikime pozitive në investime private, punësim dhe eksport. Ajo që do të ishte vlerë shtesë për investimet e pritura private në energji dhe telekom do të ishte krijimi i bazës që një pjesë e investimeve të realizohen me nënkontraktime me kompanitë vendore.

Sa i përket reformave në mjedisin biznesor, është më rëndësi që të kemi vlerësime pozitive në raportet ndërkombëtare, por shumë më e rëndësishme është që reformat të prodhojë efekt jo vetëm për ranglista por në investime konkret. Kjo mund të arrihet nëse ligjet zbatohen 100% dhe sistemi gjyqësor është koherent në trajtimin e çdo aspekti që lidhet me (mos) sundimin e ligjit. Poashtu shumë e rëndësishme për krijimin e efekteve rritëse ën investime është reforma e paralajmëruar fiskale. Lista e publikuar në draftin e parë të ligjit, lë shumë për të dëshiruar, pasi që nuk e ndjek deri ne fund zbatimin e parimit që çdo lëndë e parë që nuk prodhohet në Kosovë dhe vendet e CEFTA-s, të lirohet nga tarifa doganore. Efektet buxhetore të listës që tanimë është propozuar janë vetëm 6 milionë. Besohet që zgjerimi i listës nuk do të prodhojë efekte të dëmshme buxhetore, përkundrazi krijon efekt multiplikues që duhet të përcillet në mbledhjen e tatimeve të brendshme dhe rritjen e të hyrave buxhetore. Jetike për një reforme fiskale me efekte afatgjate janë edhe aplikimi i stimujve fiskal dhe financiarë për investime që janë në aplikim të gjerë në vendet e rajonit, para se gjithash “pushimet nga taksat” dhe “ top-up (pagesat direkte) për vendet e reja të punës që krijohen”.

4. Shfrytëzimi i anëtarësimit në BERZH dhe përkrahja e sektorëve me ndikim në prodhimtarinë vendore: Rastet e fundit të financimeve të BERZH-it në vendet e rajonit, pasqyrojnë një orientim të kësaj banke dhe partnerëve tjerë financiarë në fuqizimin e prodhimit të produkteve me avantazh krahasues të të gjitha vendeve të rajonit dhe rrjeteve për plasimin e tyre në treg. Duke pasur parasysh faktin që është nevojë imediate që Kosova të këtë politikë të zëvendësimit të importeve, sidomos për produktet bazike, duhet të zbatohet një program i gjerë që mundëson orientim dhe komplementaritet të përkrahjes direkte financiare si dhe rritje të buxhetit për vitin 2014, për sektorin e përpunimit të ushqimit dhe sektorin e shërbimeve që përkrahin këtë sektor, si dhe sektorin minerar që ka potencial për nxitjen e partneriteteve publiko-private, me projekte investive që mund të financohen nga BERZH, me qëllim të masovizimit të prodhimit me standard dhe cilësi të larta, veçanërisht për produktet ushqimore, por edhe produkte me bazë minerare që mund të eksportohen në tregjet botërore..

Të gjitha prioritet e cekura më lartë, jo domsodoshmërisht janë kryesoret, por mund të shërbejnë që tryeza me detyra për Vitin e Ri 2013 të pasurohet me aktivitete konkrete, që në fund të vitit 2013 të mos jetë sinonim për ekonominë fjala “ngadalësim” apo “stagnim” por fjalët “rritje dhe zhvillim” Gëzuar!

Autori është Sekretar i Përgjithshëm Oda Ekonomike e Kosovës

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.