Stafi diplomatik, mbi shtetin dhe ligjin

Skandalet e stafit diplomatik të Kosovës në Konsullatën e Kosovës në kryeqytetin gjerman, janë tregues i qartë se personat e punësuar nëpër ambasada dhe konsullata nuk po i shërbejnë shtetit të Kosovës, por grupacioneve të ndryshme, ka deklaruar analisti Shpend Kursani.
Kursani ka thënë se stafi diplomatik më shumë se shtetit të Kosovës po i shërben grupacioneve të ndryshme të interesit të cilat veprojnë në Kosovë.
“Meqë këta persona nuk po i shërbejnë shtetit, por këtyre grupacioneve. Ata po e ndiejnë veten tepër përmbi ligjin, rregullat diplomatike dhe interesat shtetërore. Duke u ndjerë se janë të palëvizshëm prej atyre pozitave”, ka thënë Kursaani për Telegrafin.
Kursani ka theksuar se “ta rrahësh një koleg dhe të sillesh indiferent ndaj nevojave të bashkatdhetarëve duhet të ndjehesh mbi shtetin dhe ligjin. Këto veprime tregojnë edhe mungesën e mbikëqyrjes së MPJ-së ndaj misioneve diplomatike të Kosovës”.
“Unë mendoj se jo vetëm MPJ-ja por edhe komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e MPJ-së duhet ta ketë një njësi inspektuese, që vazhdimisht do të shkonte nëpër poste diplomatike të Kosovës që t’i monitoronte dhe raportonte se çka duhet të bëhet”, ka shtuar ai.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se me trajtimin e skandaleve të cilat kanë ndodhur në konsullatën e Kosovës në Berlin merret Komisioni Funksional për Grada dhe Disiplinë, i cili përbëhet nga MPJ-a, Presidenca, Kryeministria edhe dy ambasadorë.
“Kjo gjë është e rregulluar me ligj, i cili e parasheh që me këtë çështje të merret komisioni”, ka shtuar Hoxhaj. /Telegrafi/