UBT

Stadi i urrejtjes politike

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Shala- Masa e tërësishme e urrejtjes politike në këtë skenën politike të vendit ka pësuar një rritje të madhe, për shkaqe të njohura, edhe me aktorë dhe protagonistë të njohur.

Nuk ka pasur kurrë ambient më të keq politik në Kosovë sikur ditëve dhe javëve të mbrama. Përshtypja e përgjithshme, neutrale ndaj një konfrontimi total politik që mbizotëron politikën e mjerë të vendit, flet për një teposhtëze të madhe, për një shkundje dhe shembje të paparë, e cila po e bënë politikën kosovare pa adresë legjitime, pa mekanizma për zgjidhjen e problemeve më të mëdha, ndërsa terapia e rëndomtë për gjendje të këtilla, ajo e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, thjeshtë nuk mund të aplikohet dot. Dihet pse. Kosova si shoqëri dhe si shtet, nuk mund t’i mbijetojë edhe një palë zgjedhje të asisojta çfarë u bënë në dhjetorin e vitit 2010. Duhet ndryshuar Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, duhet përgatitë Listat e rregullta të votuesve, duhet sjellë vëzhguesit ndërkombëtarë, duhet bërë gjithçka që kërkohet prej nesh, që votimi i ardhshëm të jetë pasqyrë e drejtë e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës.

Urgjentisht pra, partitë politike të vendit, nëse njëmend e kanë ndërmend të jenë pjesë e një procesi të rregullt zgjedhor, do të duhej të përfundonin reformën zgjedhore.

Pa te, Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhje.

Ambienti i mbrapshtë politik, origjina e të cilit njeh shumë protagonistë, prej të cilëve me gishtat e një dore mund të numërohen ata që qyshdoqoftë janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë, ditëve të fundit mbërriti kulmin (e deritashëm, sepse me siguri kjo tendencë e keqe do të ketë rritje të mëtejmë), me ngjarjet në oborrin që lidhë Qeverinë me Kuvendin e Kosovës, dhe më pas, me debatin në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës kushtuar dialogut të ri me Serbinë.

Pamjet që u panë në hyrjen kryesore të ndërtesës së Qeverisë, ishin gjithsesi të rënda, të mundimshme, ndjellakeqe për të gjithë shoqërinë kosovare. Por ndër ne, së paku në rrethanat e tanishme, aktualisht ka zero për qind (edhe me numër 0%), gatishmëri që një dukuri politike, një ngjarje e kësisojt, të analizohet në tërësinë e saj, gjithsesi duke kërkuar përgjegjësinë ligjore, por duke mos iu shmangur as përgjegjësisë politike për këtë përplasje para dyerve të Qeverisë.

Kur dy vetë zihen dhe grushtohen, qofshin ata edhe dy kalimtarë rasti, nuk është domosdoshmërisht e thënë që njeri prej tyre ka gjithsesi të drejtë. Mund të jenë te dytë bashkëfajtorë për këtë ngjarje. Tek ne, siç u pa edhe me këtë rast (të konfrontimit para hyrjes së Qeverisë), e tëra çfarë llogaritet është marrja e anës. Nuk mund të ketë dot analizë gjakftohtë, përpjekje për të kuptuar se çfarë në të vërtetë ndodhi atypari (para Qeverisë), kush tejkaloi kompetencat e tij si qeveritar e kush si deputet, a mund dot të zgjidhen problemet në këtë mënyrë, a po i mungon këtij vendi një komunikim minimal politik. Jo. Kur ndodhë sherri, tek ne në vend se të këqyret se çfarë mund të bëhet që ai të mos përsëritet, dhe keqbërësit të sanksionohen, ligjërisht dhe politikisht, ne ia mësymë për të bërë sherre edhe më të mëdha, duke instaluar logjikën e istikameve dhe fronteve politike, ku politika vjen e bëhet një luftë me të gjitha mjetet e mundshme mediatike, verbale, nganjëherë edhe fizike.

Masa e tërësishme e mosdurimit dhe e urrejtjes politike në këtë skenën politike të vendit ka pësuar një rritje të madhe, për shkaqe të njohura, besa edhe me aktorë dhe protagonistë të njohur. Kjo urrejtje, nuk ka si të mos shfaqet kudo pastaj, përfshirë këtu edhe seancat parlamentare, në të cilat ka gjithsesi edhe rrugaçëri, ka fjalor që nuk do të duhej t’i lejohej anëtarëve të një familjeje, qoftë edhe në një bisedim fare spontan, ka akuza dhe kundërakuza të cilat ta përkujtojnë një epokë të perënduar qyshmoti, e cila fatkeqësisht për ne, i ka përfaqësuesit e saj të ulur në karriget e Kuvendit të Kosovës.

RCCOLA

Zaten, këtë e dëshmoi edhe debati i të enjtes së shkuar (18 tetor), që kishte të bënte me Propozim-Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për mandatimin e Qeverisë së Kosovës për të nisur bisedimet politike me Qeverinë e Serbisë, me synimin për të mbërritur tek normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky debat u shndërrua në një garë kinse patriotike për tu dëshmuar se kush është shqiptar më i madh se tjetri, duke ia treguar njeri-tjetrit madje historinë e rëndë të marrëdhënieve të shqiptarëve dhe serbëve, në përgjithësi, dhe të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti, për të mbërritur, nga rrjedhja natyrore e diskutimeve të këtij lloji, tek akuzat e njohura ndër ne për tradhtarët dhe patriotët.

Nuk pati gjë prej politike në këtë debat parlamentar, nuk pati përpjekje fare të vogla për të marrë vesh se për çfarë bëhet fjalë në këto bisedime që janë objektivisht të pashmangshme, nuk pati synim që disi të mbërrihet te një qëndrim i unifikuar në përballjen me këtë sprovë.

Nuk pati ta zëmë as një analizë të vetme serioze se kur dhe si duhet të ndodhë ajo kërkim falja e Serbisë ndaj Kosovës, ndaj qytetarëve të saj, për krimet e bëra në vazhdimësinë që njeh një shekull të plotë. Nuk u tha, për shembull, që kjo kërkim falje mund të jetë një akt politik, i cili nuk mund dot ta zhbëjë përgjegjësinë individuale dhe atë të institucioneve të Serbisë për këto krime, e cila do të duhej të njihte sanksionimin ligjor vendor dhe ndërkombëtarë.

Nuk pati, dhe as që do të ketë, si qëndrojnë punët tani.

Në një ambient të këtillë, do të jetë tepër vështirë që Prishtina zyrtare të përballet si duhet me sprovën e bisedimeve politike me Beogradin zyrtar.

Por tek e mbrama, kush merret me këtë punë.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)