RCCOLA

Stabiliteti i vendit nuk mund të supozohet vetëm me forcën e numrave, thotë Sejdiu

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Fatmir Sejdiu, ish president i Republikës së Kosovës në periudhën 2006 -2010, ka folur sot për nevojën për ndryshimin e qasjes në udhëheqje me vendin dhe po kështu edhe në punën për promovimin e vlerave reale kulturo – historike që i ka ky vend. Shkas ka marrë dështimin për anëtarësim të Kosovës në UNESCO.

Këto dhe komente të tjera ai bëri në një konferencë me temë “Dita e Trashëgimisë Kulturore dhe Historike të Kosovës”, ka mbledhur sot në Prishtinë pjesëmarrës të shumtë, transmeton Koha.net.

“Vendimi i para pak ditësh për mospranimin e Kosovës në atë sesion të vendeve anëtare të OKB-së, për sa ishte jo i lehtë për Kosovën, për aq mendoj se duhet kuptuar si një sinjal për njerëzit e Kosovës dhe në veçanti përgjegjësit në institucione se duhet ndërruar shumë çka në qasjen e tyre të përgjithshme, si në udhëheqje me vendin dhe po kështu edhe në punën për promovimin e vlerave reale kulturo – historike që i ka ky vend”, tha Sejdiu, duke shtuar se angazhimi i Serbisë dhe i gjithë rrjetit të saj diplomatik për të penguar Kosovën për anëtarësim të këtë institucion të rëndësisë së posaçme ndërkombëtare, nuk ka se si të kuptohet ndryshe, pos si një përpjekje minuese e saj për të penguar shtetin e ri duke e dëshiruar dështimin e qëndrueshmërisë së tij si shtet i pavarur.

Ai tha se çështja e mbrojtjes së trashëgimisë së përgjithshme kulturore dhe historike të vendit ka qenë një temë e rëndësishme në bisedimet për statusin final të Kosovës.

“Duke qenë dëshmitarë, por edhe pjesëmarrës në procese të rëndësishme që i ka kaluar vendi në rrugën e tij drejt pavarësimit, dua të nënvizoj faktin se veçanërisht në bisedimet e Vjenës për statusin të udhëhequr nga Marti Ahtisaari dhe në ato 120 ditë të tjera të shtesës e që ishin jashtëzakonisht të ndjeshme, njëra nga temat e rëndësishme, përveç çështjes së statusit, ka qenë çështja e mbrojtjes së trashëgimisë së përgjithshme kulturore dhe historike të vendit, për të cilën pala serbe ka pretenduar se është trashëgimi e saj, duke dashur kështu të manipulojë faktet historike. Edhe atëherë e, edhe sot është dhënë dhe besoj se edhe sot jepet përgjigjja; e gjithë kjo trashëgimi është e Kosovës dhe e njerëzve të saj dhe se si e tillë duhet mbrojtur dhe kultivuar. Ajo trashëgimi është e bollshme, duke filluar nga më e hershmja e deri te ajo e ditëve të sotme”, tha Sejdiu.

Duke vënë theksin te veprimet që duhet të bëhen tash dhe në të ardhmen, ish-presidenti Sejdiu theksoi se Kosovës, tani dhe në vazhdimësi i nevojitet një stabilitet i qëndrueshëm politik i cili në situatën e krijuar kërkon veprime të urta dhe shumë racionale që nënkupton një ujdi nacionale-shtetërore për të gjitha temat e mëdha e të ndjeshme që i ka para vetës.

Ai tha se stabiliteti i qëndrueshëm i vendit nuk mund të supozohet vetëm me forcën e numrave, por edhe me kualitetin e veprimeve.

Mobi Casa

Sejdiu tha se nevojitet një ridizajnim i strategjisë së veprimit për punën e gjithë mekanizmave institucionalë të vendit, duke filluar nga vetë puna e institucioneve të qeverisjes në nivel lokal dhe veçanërisht të atyre që merren me mbrojtjen, zhvillimin dhe kultivimin e vlerave kulturore e historike të vendit, duke u siguruar mbështetje shtesë dhe shumëdimensionale për punët që i presin.

Sipas tij, duhet të bëhet konceptimi dhe promovimi i politikave shtesë për punën e institucioneve përgjegjëse dhe respektive, sidomos në fushën e arsimimit, edukimit, shkencës dhe kulturës, mbrojtjes së mjedisit etj., si dhe harmonizimi i këtyre politikave dhe veprimi i koordinuar i institucioneve përgjegjëse, përkatësisht ministrive si në hapësirën brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe organizmave të tjerë që merren me këto problem.

Ai përmendi edhe investimin në projekte faktografike dhe publikime të reja, të cilat japin një pasqyrë edhe më të bollshme të kësaj trashëgimie, mundësisht në shumë gjuhë, pra edhe në gjuhën e popujve numerikisht edhe më të paktë në numër sesa Kosova, sepse vota e tyre është e barabartë.

Sejdiu theksoi edhe një varg veprimesh, si organizimi i ngjarjeve me peshë të veçantë nga fusha respektive, prezantimi më i gjithanshëm i vlerave të pakontestueshme kulturale dhe humaniste që reflektojnë bashkëpunimin dhe tolerancën ndërfetare të besimeve dhe konfesioneve të ndryshme brenda një etnie, apo midis etnive të ndryshme, prezantimi i respektit real të qytetarëve të Kosovës për monumentet e kultit, konceptimi i një strategjie shtesë për kontakte diplomatike, angazhimi për sigurimin e mbështetjes së vazhdueshme lobuese të vendeve që deri tani kanë dhënë kontribut të rëndësishëm mbështetës në shtimin e njohjeve për Kosovën e që kjo të vazhdojë si e tillë e veprime të tjera.

Konferenca “Dita e Trashëgimisë Kulturore dhe Historike të Kosovës”, ka mbledhur sot në Prishtinë pjesëmarrës të shumtë, është organizuar nga Shoqata Austriako-Kosovare dhe UBT.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

http://koha.net/?id=27&l=86189