ARKATANA

Stabilitet në vitin sfidues!

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Burim Ramadani – Në periudhën që tashmë po hyn, Kosova, mbi të gjitha, ka domosdoshmëri të garantimit të stabilitetit politik e institucional. Stabilitet ky që do të shmangte çfarëdo krize, edhe të sigurisë. Prandaj, zgjedhjet janë një emërues i përbashkët i ‘të domosdoshmes’! Nuk do të jetë e lehtë. Periudha e javëve dhe muajve të ardhshëm mund të kthehet në periudhë tejet sfiduese. Për të gjithë, së bashku, dhe për një numër të madh, veç e veç.

Nëse viti 2015 i parapriu një viti bllokues dhe sfidues për sigurinë nacionale të Kosovës, që ishte sidomos pjesa e parë e vitit 2016, në muajt që tashmë po hyn, Kosova, mbi të gjitha, ka domosdoshmëri të garantimit të stabilitetit politik e institucional. Stabilitet ky që do të shmangte çfarëdo krize të sigurisë dhe do të siguronte përballimin strategjik të një gjendje të panjohur.

Çka mund të ndodhë dhe pse mund të ndodhë?

Sigurisht se kjo është çështje e perceptimeve, bazuar në pikënisje dhe pikëpamje të ndryshme, porse domosdoshmërisht se duhet analizuar të gjithë skenarët e ndryshëm që do të mund të ndikonin direkt apo indirekt në stabilitetin e Kosovës. Jo rrallë është përzier, në analizë e sipër, e nevojshmja me të domosdoshmen. Në të vërtetë, ndërtimi i ‘të domosdoshmes’ është parimor dhe natyror nëse ‘e nevojshmja’ po troket në derën e hapur apo edhe të thyer të Kosovës.

Për mua, e domosdoshmja është garantimi i stabilitetit politik, institucional dhe të sigurisë. E domosdoshmja është vendosja e siguresave institucionale për tejkalimin e koordinuar të vështirësive që mund të kthehen në sfidim të fuqishëm të shtetit të Kosovës, nga brenda apo nga jashtë.

Dhe, megjithëse krejtësisht perceptim personal, më duket se është përmbajtjesore dhe parimore të arrihet niveli i të menduarit strategjik për sfidat e miksuara të sigurisë në Kosovë. Edhe në publik, por mbi të gjitha në nivel të përgjegjësve institucionalë për shtetin.

Viti i ardhshëm dhe periudha e mëpastajshme nuk besoj se do të duhej të jetë periudha ‘më e lavdishme’ e luftës politike brenda Kosovës. Nuk është se askush nuk do të tentojë të përfitojë në aspekte më të ngushta partiake. Madje, edhe krejtësisht përfitime personale. Porse, kjo do të duhej të ketë njëfarë racionaliteti në logjikë dhe mënyrë veprimi. Një periudhë e tillë, gjithsesi e panjohur në substancë, nuk do të duhej të përkthehej në ‘vrap për kurbanë’ dhe as ‘vrap për ngadhënjim’!

Është e qartë se viti i ardhshëm do të jetë vit zgjedhor. Në aspektin Kushtetues, të paktën, zgjedhjet lokale janë të rregullta në pjesën e dytë të vitit 2017. Prandaj, që nga tash edhe mund të pritet se pothuajse e tëra do të mund të jetë e orientuar kah pozicionimet partiake në llogaritje të zgjedhjeve komunale.

Porse, shteti dhe shoqëria kosovare do të duhej të jetë e gatshme për përballjen e përbashkët me çështjet që kanë të bëjnë me nivelin qendror institucional.

Uji Dea

Me një fjali, vështirësitë janë qendrore.

Të tilla duhet të trajtohen më saktësisht nga secili që ka përgjegjësi në këtë shtet dhe këtë shoqëri. Dikush edhe mund të ndihet pa përgjegjësi, sepse edhe substanca politike, sikurse edhe qëllimet që kanë, mund t’i kenë të bazuara në logjikën arkaike se “pa u bërë keq, nuk bëhet mirë!”

Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, për hir të debatit, për shtetet dhe shoqëritë që tashmë kanë konsoliduar demokratizimin, e kanë të përmbyllur për kohë më të gjatë shtet-ndërtimin e tyre dhe nuk përballen me kontestimin e shtetësisë, si nga brenda, po ashtu edhe nga jashtë! Por, ky nuk është rasti i Kosovës.

Një situatë e panjohur në muajt e ardhshëm tashmë është ‘parapërgatitur’ edhe me bojkotin politik të institucioneve qendrore nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë. Duke u thirrur në një arsye thelbësisht shterpe, ‘Lista Serbe’ ka vepruar në mënyrë të njëjtë me Koalicionin “Povratak” në vitin 2004. Dhe, besoj secilit i kujtohet, që një veprim i tillë politik i vitit 2004 u përcoll me pasoja gjithsesi të mëdha për afro një dekadë.

E tashmë, përafërsisht kjo është situata:

Qeverisja qendrore është tërësisht e palidership (në kuptimin konceptual aftësisë së vendimmarrjes së koordinuar të lidershipit, jo në atë individual); mungesa serioze e legjitimitetit të qeverisë që nga fillimi i saj, përkundër që aspekti i legalitetit nuk vihen në dyshim; ndarja shoqërore e politike brenda shqiptarëve është thelluar skajshëm; marrëdhëniet ndërt-etnike kanë pësuar të paktën disa hapa mbrapa, në krahasim me gjashtë vjet më parë; vendi nuk ka bërë pothuajse asnjë lëvijze përmbajtjesore për më shumë se dy vjet, përkundrazi; debati publik nuk ka qenë asnjëherë në nivel më të ndyrë; politikanët lavdërohen me metodat joparlamentare, të cilat nuk përtojnë t’i rikthejnë në vëmendje; apatia për sistemin dhe elitën politike ka mbërritur në shkallë të pashembulltë; vendimmarrësit angazhojnë një kompani të huaj (britanike) për të përzgjedhur të emëruarit nëpër borde të agjencive të pavarura, detyrë që është krejtësisht vendore, përkatësisht është delegim/bartje klasike dhe e pakuptueshme e sovranitetit për një kompetencë që do të duhej pa dilemë ta kryenin vendorët; kontestimi politik i drejtësisë ka arritur majat dhe jo vetëm nga një palë; ndikimi rus përmes ‘luftës informative’ ka kapluar edhe Kosovës, krahas vendeve tjera të Ballkanit; javët dhe muajt e ardhshëm kanë shumë pikëpyetje.

Thjesht, e ardhmja e afërt brenda dhe jashtë shtetit të Kosovës duket e sfiduar seriozisht!

Prandaj, zgjedhjet janë një emërues i përbashkët i ‘të domosdoshmes’!

E kemi të domosdoshme forcimin e stabilitetit politik dhe institucional, përmes një Qeverie të fortë, efektive dhe të aftë për të gjetur zgjidhje në temat e ndjeshme, sikurse janë, ndër të tjera, Sundimi i Ligjit, Anti-Korrupsioni, Dialogu me Serbinë, Sfidat e brendshme dhe rajonale, përballja ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm, Proceset e hapura, që kërkojnë koordinim gjithëpërfshirës, Transformimi i FSK-së në FAK, Investimet e jashtme direkte dhe reformën zgjedhore për periudhat e mëpastajshme.