St. Galleni e Luzerni kërkojnë Albert Bunjakun

Sulmuesi kosovar Albert Bunjaku, në verë, mund të kthehet në Superligën e Zvicrës, ka shkruar të mërkurën sajti “fussball.ch”.
Sipas këtij sajti, futbollisti 29-vjeçar, po kërkohet nga St. Galleni e Luzerni. Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Bunjaku, është kapiten i Kaiserslauternit që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Me këtë skuadër ka kontratë deri në qershor të vitit 2015. Bunjaku këtë edicion në 27 paraqitje ka realizuar 11 gola dhe ka dhënë gjashtë asistime. Kaiserslauterni është i treti, ndërsa kjo pozitë në fund e dërgon në barazh për inkuadrim në Bundesligë.
Bunjaku në Zvicër ka luajtur për Schaffhausenin, ndërsa në Gjermani karrierë ka bërë edhe te Paderborni, Erfurti e Nurnbergu.