Fidanishtja

Srebrenicat tona

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Beogradi mohon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi dhe në Reçak ka ndodhur masakra. Shteti serb ende nuk ka ka shprehur pikën e pendesës as keqardhjes për krimet e kryera nga regjimi i Slobodan Milosheviqit. Srebrenica në Bosnjë e Srebrenicat tona në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Nuk ka si të ndodh pajtimi përderisa viktimat poshtërohen e kriminelët lartësohen.

Vetëm kur viziton Srebrenicën dhe qendrën memoriale Potoçari mund ta ndjesh peshën e krimit, gjenocidit që ka ndodhur atje. Më se shtatë mijë varre mbajnë brenda kufoma boshnjakësh të vrarë nga forcat serbe, e rreth një mijë të tjerë, të zbrazët, presin mbetjet mortore të atyre që ende nuk janë identifikuar.

Në verën e vitit 1995, për dhjetë ditë me radhë, në Srebrenicë ka ndodhur masakra më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ka ndodhur vrasja masive e burrave dhe djemve boshnjakë, në sy të paqeruajtësve ndërkombëtarë.

Më 11 korrik të çdo viti në Potoçari mblidhen mijëra vetë, për t’i nderuar viktimat . Ashtu ndodhi edhe këtë të enjte, kur u varrosën mbetje të viktimave të tjera, në mesin e të cilëve edhe fëmijë.

Në Potoçari u panë familjarë e politikanë, vendës e ndërkombëtarë. Por jo edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq e kryeministrja Ana Brnabiq. Aty nuk u pa as kryesuesi i presidencës boshnjake, Milorad Dodik. Nga Serbia, për t’i nderuar viktimat, kishte shkuar vetëm Çedomir Jovanoviq.

24 vjet pas tmerrit Beogradi mohon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, pavarësisht se gjykata ndërkombëtare e ka vëtetuar një gjë të tillë në aktgjykimet ndaj përgjegjësve të krimit. 24 vjet pas tmerrit kreu shtetëror serb mohon gjenocidin, ndërkaq një deputet i partisë së Vuçiqit uron përvjetorin e “çlirimit të Srebrenicës” dhe i thur lavde Radovan Karaxhiqit. Pra, çlirim të qytetit të vogël, që tash është pjesë e Republikës Serbe, e quan masakrën mbi më shumë se tetë mijë vetë. Një mendje kriminale, që lartëson kriminelë. Një deputet i një shteti që, në vend se të marrë përgjegjësinë për atë që ka ndodhur dhe të ndjejë keqardhje për viktimat, nderon dhe lartëson ata që i shkaktuan ato, që ua morën jetën mijëra të pafajshëmve.

* * *

Srebrenica ka ndodhur vetëm tre vjet para se i njëjti shtet, Serbia e Slobodan Milosheviqit, të nisë spastrimin etnik dhe të kryejë masakra në Kosovë. Izbica, Lubeniqi, Studimja, Reçaku janë vetëm disa nga bëmat monstruoze të një regjimi kriminal. Dy dekada pas, Beogradi sillet njësoj karshi viktimave. Dy dekada pas, Beogradi mohon të ketë ndodhur Masakra e Reçakut, duke thënë se gjithçka ishte e orkestruar. Dy dekada pas, as Vuçiçi sot, e as Nikoliqi, Tadiqi,

Fundamenti

Koshtunica e Gjingjiqi para tij nuk kanë mbledhur forcën të paktën për të shprehur keqardhje për atë që shteti i tyre ka bërë në Kosovë. Për vizitë vendeve të krimit e nderim viktimave as që bëhet fjalë. Srebrenicat tona vazhdojnë të mohohen nga autorët e tyre.

Krerët e shtetit që ka vrarë më shumë se dhjetë mijë civilë në Kosovë refuzojnë të njohin krimet, refuzojnë të përkulen para viktimave. Ndërkohë, refuzojnë ta njohin dhe çdo ditë e luftojnë shtetin e ri, i cili u krijua mbi gjakun e po këtyre viktimave.

E udhëheqës të këtij shteti të ri, siç është presidenti, megjithatë kanë bërë veprime simbolike në nderim të viktimave të komunitetit serb, që janë vrarë në rrethana të pasqaruara pas luftës, të paktën duke u përkulur para memorialeve të tyre në Grackë të Vjetër e Gorazhdec.

Ndërkohë që kriminelë luftë në Beograd priten me ovacione e nderime, varre të zbrazëta në Kosovë presin qindra të pagjetur, e varrezat masive nëpër Serbi, në të cilët u deportuan kufoma shqiptarësh për fshehur krimet, mbeten simbole të dhimbjes e krimeve të pandëshkuara, mbeten monumente turpi në Europën e shekullit 21, në tokën e një shteti që po përparon drejt integrimeve europiane.

* * *

Dhimbja bashkon popuj, sidomos ata që kanë qenë viktima të të njëjtit regjim. Por, kështu nuk ndodh në rastin e shqiptarëve dhe boshnjakëve. Edhe po të duan të bëhen bashkë në dhimje, në nderim të viktimave, e kanë të pamundur. Sërish për fajin e Beogradit.

Kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Bosnjë, as boshnjakët në Kosovë. Sepse kështu do Republika Serbe e ndërtuar mbi gjenocid – kështu do Serbia. Shteti që ka shkaktuar shumë dhimbje vazhdon të shkaktojë dhimbje të reja.

Sa herë vjen korriku dhimbja e Srebrenicës përplaset fytyrës, ashtu si dhimbja për mijëra të vrarë në Kosovë. Sa herë vjen korriku fytyrës përplaset edhe egërsia e Beogradit, që sjell ndërmend tmerret e gati një dekade luftërash. Sa herë vjen korriku vjen ndërmend edhe drejtësia e vonuar dhe nevoja për pajtim. Për pajtimin që nuk mund të ndodh pa vendosur drejtësi për viktimat. Për pajtimin që nuk mund të ndodh pa i parë tek përkulen para viktimave në Reçak, Izbicë, Lubeniq krerët e shtetit serb. Që nuk mund të ndodh pa u pranuar gjenocidi në Srebrenicë. Gjithçka tjetër është farsë.