UBT

“Srbija” në dorë të Dakës

/ 4 minuta lexim

Heqja e simboleve shtetërore të Kosovës nga fletëvotimet për zgjedhjet e 3 nëntorit, si kompromis për pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces, i ka trimëruar këta të fundit që në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të aplikojnë me nismën qytetare me emrin “Srbija”.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës me emrin “Srbija” ka nxitur reagimin e analistëve politikë dhe njohësve të çështjeve kushtetuese në vend, të cilët kërkojnë që kjo listë mos të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhje, pasi që, sipas tyre, kjo po nxit urrejtje ndëretnike.

Eksperti për çështje Juridike, Zait Xhemajli, ka thënë për “Zërin” se nuk është mënyrë e drejtë dhe e rrugës të përzihet në punët e KQZ-së, mirëpo, sipas tij, kjo e fundit duhet t’i zbatojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Xhemajli potencon se KQZ-ja ka marrë një akt politik kur e ka hequr stemën e shtetit të Kosovës nga dokumentet zgjedhore.

“KQZ-ja është ajo që do të zbatojë ligjin edhe sigurisht në kushte normale nuk mendoj që me anakronizma, të cilët nuk përkasin apo që nxisin urrejtje apo diçka të tillë, nuk duhet të certifikohen. Është çështje e tyre dhe ata do ta vlerësojnë se a ka aty diçka që bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën”, ka thënë Xhemajli.

Nga ana tjetër, analisti politik Fadil Lepaja ka thënë se koha po e tregon se serbët nuk janë marrë mjaft me vetveten dhe të kaluarën e tyre.
Sipas tij , ata ende po insistojnë në gjetjen e modaliteteve që Serbia në aspektin përmbajtjesorë të jetë një, pavarësisht kompromiseve formale.
“Ende nuk e kanë të qartë se me këtë politikë e shkatërruan ish –Jugosllavinë dhe se me të njëjtën nuk mund të ndërtohet as një fqinjësi e mirë, por vetëm mund të provokohen luftëra të reja”, ka thënë Lepaja.

Mobi Casa

Ai ka shtuar se mospranimi i identitetit kosovar në asnjë formë është një mesazh për ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe palën kosovare se kompromiset janë një trimërim i nacionalizmit shtetmadh serb.

“Prandaj mendoj se grupet politike të cilat pretendojnë të regjistrohen nuk duhet të kenë emra që e prishin neutralitetin aq të kërkuar nga ana serbe, ndaj statusit”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, serbët e Kosovës me këto sjellje mund të dërgojnë mesazh se ende nuk janë të pjekur për demokraci dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa të tjera për të vendosur demokracinë funksionale në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Erzen Vraniqi nga Lëvizja “Vetëvendosje” shprehet se me intervenim të Ivica Daciqit dhe konfirmim të kryeministrit Hashim Thaçi, KQZ hoqi stemën e Republikës së Kosovës, ndërsa të mërkurën në mbrëmje u regjistrua një subjekt si liste e përbashkët serbe, e quajtur “SRBIJA”.

“Në këto kushte nuk do të ishte e papritur që logoja e këtyre të ishte stema e Republikës së Serbisë. Prej rregullores për certifikimin e subjekteve politike e tek ligji për zgjedhjet e përgjithshme, e rregullojnë dhe e normojnë emërtesat në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me vlerat e Republikës sonë”, ka thënë Vraniqi.

Sipas tij, neni 5, pika X, i lejon Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ, që nëse subjekti i cili paraqitet për regjistrim me emër që mund të nxisë urrejtje etnike, të drejtën për të mos e regjistruar atë./zeri/