ARKATANA

Sqarimi i Veton Nevzadit

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Zotrinjë, Pikë së pari unë nuk përfaqësoj askënd kur shkruaj në emrin tim dhe nuk fshihem pas siglave të partive politike sepse nuk kam asnjë arsye për t’u fshehur. Jam qytetar i lirë i këtij vendi dhe kam të drejtë të pyes për secilën çështje publike që më intereson, sikur edhe secili qytetar tjetër i Kosovës.

Poashtu nuk i paguaj askujt faturë nga paratë publike për të shkruar ca rreshta në mënyrë që të ballafaqohem me një qytetar i cili parashtron disa pyetje legjitime për mbarëvajtjen e punës në një kompani publike.

Si pjesë e një procesi në të cilin kam besuar thellësisht dhe naivisht se do të rezultojë i suksesshëm, ndjehem i obliguar moralisht që të sinjalizoj vendim marrësit e pozitës dhe opozitës në Gjilan për gjendjen faktike në të cilën është kompania publike “Eco Higjiena” në Gjilan, me theks të veçantë tek implementimi i marrëveshjes PPP mes palës publike dhe asaj private.

Nëse ju si kompani nuk e konsideroni kryetarin e Komisionit Komunal të Aksionarëve të “Eco Higjiena” si përfaqësues legjitim të kësaj kompanie, atëherë keni problem me kuptueshmërinë e hierarkisë së kompanive publike në Kosovë, bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike nr.03/L-87. Si duket ky nivel i të kuptuarit të këtij ligji ose injorimi i qëllimshëm i tij e ka sjellë procesin në këtë rrugë pa krye.

Unë, bazuar në raportin e paraqitur publikisht nga ana e Komisionit Komunal të Aksionarëve të “Eco Higjiena” kam prezantuar fakte dhe shpjegime kur marrëveshja PPP është shkelur nga ana e palës private, pra nuk kemi të bëjmë më asnjë spekulim pos me një gjendje reale për të cilën mund ta diskutojmë publikisht, kudo dhe kurdo që jeni të gatshëm.

Edhe vet z. Gerhard Dummer (në emër të të cilit është shkruar komunikata) e pranon direkt se në rastin më të mirë në kompaninë e përbashkët janë investuar vetëm 603.000 €, e që në fakt nuk është as gjysma e vlerës prej 1.5 milion €, të cilat tashmë do të duhej të ishin çështje e harruar.

ARKATANA

Sa i përket tarifave, e vërteta është se Qeveria e Kosovës me uljen e taksave ka synuar përmirësimin e gjendjes së qytetarëve dhe jo gjendjen e ndërmarrjeve publike, prandaj keni gabuar me këtë rast. Personalisht mendoj se qytetarët e Komunës së Gjilanit nuk e kanë mirëqenien më të mirë se ata të Prishtinës, prandaj kjo ngritje e çmimit (mos ulje) e tarifës mujore e zbrazë padrejtësisht xhepin e qytetarëve, pa marrë parasysh sa cent qofshin ato.

Poashtu edhe zhvleftësimi i aseteve të pjesës publike nuk është punë e juaja sepse gjendjen si të tillë me vetëdije të plotë e keni pranuar dhe nënshkruar. Prandaj insistoj se ju duhet të përmbushni detyrimin tuaj, përndryshe nuk ka asgjë serioze në këtë marrëveshje.

Zotërinj, askush nuk po mundohet të mohojë arritjet dhe përpjekjet tuaja deri më tani. Do të gëzohesha shumë sikur të realizohej pritjet e mija dhe të atyre që sakrifikuan edhe kredibilitetin e tyre politik për të ngritur këtë kompani publike, e që tash çuditërisht heshtin. Do të isha njeriu më i lumtur sikur të kisha rastin sot të shkruaja të kundërtën.

Jemi qytetarë të një komune e cila ka filluar të konsolidohet vetëm 17 vite më përpara, dhe nëse ky është mësimi që duhet mësuar për vlerat e civilizimit që përfaqësoni, atëherë qoftë i harruar ky model sa më parë.

Veton Nevzadi