KKVITI

SPSK: Qeveria po sillet sikur inflacioni ka prekur vetëm sektorin publik, paga minimale të bëhet 450 €

/ 2 minuta lexim

Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës, në një konferencë për medie, ka shprehur pakënaqësi për trajtimin e sektorit privat nga ana e Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate, ka kritikuar Qeverinë Kurti se po “sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik”.

Ai ka kërkuar që të ndihmohet edhe sektori privat, sepse, siç tha ai, buxheti i Kosovës u takon të gjithëve, e jo vetëm sektorit publik.“Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, punëtorët që mirëmbajnë këtë zyre, paguhen 180 euro. Kjo është shumë shqetësuese për ne”.“Këto paga të ulëta vijnë nga Qeveria e Kosovës. Në vend që Qeveria ta motivojë sektorin privat për paga më të larta, është ajo që i paguan kaq pak punëtorët teknikë”.“Qeveria po sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik, e jo ata të sektorit privat. Buxheti i Kosovës është buxhet i të gjithëve. Klasa më e pasur, ajo e sektorit publik u financua, e pikërisht ajo që është më e varfër jo”, u shpreh Azemi.

Mobi Casa

Tutje, Azemi tha se kërkesa e Sindikatës është rritja e pagës minimale në 450 euro.“Kërkesa jonë është që paga minimale të jetë 450 euro. E kemi një pagë minimale që ne mendojmë qe duhet të zyrtarizohet nga Qeveria. Kanë premtuar por nuk e kanë realizuar”.

Ai ka kërkuar që punonjësit e sektorit privat, të cilët kryejnë shërbime të kontraktuar nga institucionet shtetërore, të paguhen me pagë rreth 400 euro në muaj.“Ne kemi disa mijëra punëtorë të cilët kryejnë shërbime për institucionet e Kosovës. Kemi mirëmbajtjen e objekteve të gjitha ministrive, gjitha ambulantave, gjitha fakulteteve. Kërkesa jonë është që të gjithë këta punëtorë të paguhen konform Ligjit të Pagave, e që nënkupton se këta punëtorë që nga muaji mars duhet të paguhen diku rreth 400 euro”, ka thënë ai.

Ai përmendi edhe rastet e shumta të ikjes së punëtorëve nga Kosova.“92 mijë punëtorë kanë ikur nga Kosova me leje pune. Gjatë këtij viti shumë projekte do të ndërprehen në mungesë të punëtorëve”.