ARKATANA

Spiropali nga Prishtina: Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Kryetarja e Kuvendi të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se Kosova është prioritet kombëtar i shtetit shqiptar.

Në një konferencë për media gjatë vizitës në Kosovë, ajo ka thënë se nga takimi me homologun kosovar, Glauk Konjufca, do të dalin me një sugjerim ndaj qeverive të dyja shteteve shqip-folëse që të ketë konkretizim më të detajuar të partneritetit.

“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, për Shqipërinë dhe Kosovën bashkëpunimi është një prioritet i pandashëm, është një binom stabilizues dhe orientues për të nesërmen tonë por edhe për të gjithë rajonin”.

“Me kryetarin Konjufca ne ndamë që t’u sugjerojmë qeverive tona një konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik e gjithëpërfshirës duke bërë atë një model inkurajues për bashkëpunimin rajonal ndër shqiptarë dhe më gjerë”.

“Dy parlamentet tona kanë potencialin patriotikë dhe politikë detyrimin kushtetues, historik dhe moral që të bëhen edhe më shumë promotor të integrimit dhe mirëkuptimit rajonal”, ka thënë Spiropali.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali, për marrjen e detyrës së re.

ARKATANA

Në konferencën e përbashkët për media, Konjufca tha se Spiropali do ta vazhdojë dhe do ta forcojë edhe më tej traditën e shkëlqyeshme të bashkëpunimit mes të dyja vendeve.

“Vetë fakti që Elisa Spiropali e ka zgjedhur Kosovën për vizitën e saj të parë tregon dashurinë e madhe që ajo ka për vendin tonë që është refleksion i vetë popullit shqiptar në përgjithësi. Si përfaqësues të zgjedhur nga populli ynë i përbashkët shqiptar, kuvendet tona respektive kanë përgjegjësinë më të madhe të përafrimit politik e institucional të vendeve tona. Bashkëpunimi parlamentar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha format, në të gjitha segmentet, ka shkuar duke u rritur gjithnjë e më shumë përgjatë viteve”, tha Konjufca, njofton Klankosova.

Ai tutje tha se si Republikë e Kosovës, marrëdhënien me Shqipërinë e sheh përtej raporteve ndërshtetërore.

“Më shumë e shohim si raport me vetveten. Shumica e kosovarëve nuk i referohen Shqipërisë si shteti fqinj, por ta pyesni një kosovar kur niset për në Shqipëri “ku je nis, ku je tu shku?”, nuk ma merr mendja që thotë “po shkoj në një shtet fqinj, por në shtetin amë”, e kjo i ka arsyet e veta historike. Ata besojnë që Republika e Ksoovës ka dalë nga Shqipëria”.

Kryeparlamentari shtoi se Shqipëria ka merita të mëdha në lirinë dhe pavarësinë e Ksoovës.

“Shqipëria ka merita të mëdha në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sepse liria dhe pavarësia është përplotësim edhe i lirisë edhe i pavarësisë së Shqipërisë. Kosova vazhdon të ketë nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë veçanërisht në arenën ndërkombëtare sidomos kundrejt sjelljes armiqësore që ka Serbia ndaj Kosovës”, tha Konjufca.