Specialja pritet ta tronditë politikën

Gjykata e gatshme prej janarit të vitit 2017. Analistët nuk përjashtojnë tensionet apo trazirat, duke e ditur se në shënjestër të Gjykatës mund të jenë figura kyçe, kryesisht nga PDK-ja.
Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë pritet të nisë punën nga janari i vitit të ardhshëm. Selia e kësaj Gjykate do të jetë në Hagë, ku Mbretëria e Holandës ka ratifikuar Marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Kjo marrëveshje siguron bazat ligjore të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të kryer procedurat në Holandë, dhe do të hyjë në fuqi më 1 janar 2017. Ekspertët e sundimit të ligjit në vend dhe analistët politikë konsiderojnë se tani u hoqën të gjitha pengesat e veprimit të Gjykatës Speciale, por me këtë lajm do të mbahet nën ethe një pjesë e konsiderueshme e politikës kosovare. “Natyrisht, që pas këtij lajmi, që është dhënë nga shteti i Holandës, Gjykata Speciale do të përshpejtojë procedurat e veprimit në tremujorin e parë të vitit që vjen dhe unë për sa kam informacione, fillimisht do të procedohet me dërgimin e letër-thirrjeve, ftesave të veçanta nga Prokuroria Speciale për të gjithë ata njerëz, të cilët akuzohen dhe do t’u përcaktohet edhe afati, në të cilin ata duhet të paraqiten vetvetiu, dhe vetëm në rast se ata nuk paraqiten vullnetarisht, do të ndërmerren edhe masat adekuate nëpërmes Policisë së EULEX-it dhe të shtetit të Kosovës, që të njëjtët të merren nga organet dhe të dërgohen me urdhër sipas ligjit”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.
Ditë të vështira për vendin
Sipas Kelmendit, do të krijohet një klimë zhgënjimi dhe mosbesimi karshi BE-së, do të fillojë të ndodhë një lloj çorientimi total i politikës dhe shoqërisë kosovare karshi faktorit ndërkombëtar, por nuk përjashtohet as mundësia që të fillojnë të reagojnë edhe qytetarët e Kosovës, të cilët nuk do të ndihen të barabartë karshi qytetarëve serbë për shkak të dhunës dhe krimeve që ka bërë shteti serb në Kosovë. “Para drejtë- sisë ndërkombëtare do të dalin shumë nga luftëtarët e lirisë, prandaj çfarëdo marrëveshje që do të bëhet, çfarëdo situate që do të zhvillohet nuk shoh ndonjë funksionim shumë stabil të jetës institucionale dhe skenës politike, por do të mund të ketë trendë të çrregullimit, duke mos përjashtuar edhe daljen e qytetarëve në manifestime publike, në protesta për mbrojtjen e luftë- tarëve të UÇK-së”, tha Muhamet Kelmendi.
Kjo situatë e re, që do të krijohet në vend, që nga fillimi i vitit që vjen, sipas profesorit të së drejtës Riza Smaka, do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ndërmarrjen e masave konkrete të ristrukturimit të një segmenti të caktuar të skenës politike, që të dyshuarit nga kjo gjykatë të lirojnë pozitat e tyre dhe të zëvendësohen me njerëz të rinj, kudo që ndodhen ata, por që do të përgatiten dhe ngrihen aktakuza ndaj tyre. “Konsideroj se nëpërmjet akuzimit juridik – formal para Gjykatës së Specializuar, edhe të disa titullarëve qeveritarë e partiakë të Kosovës, pashmangshëm do të shkaktojë trazira e shqetësime të valëzuara, si dhe rimobilizime të strukturave politike për zëvendësime të posteve dhe funksioneve vakante. Në anën tjetër, mund të priten edhe oscilime negative në kapacitetet e votave të subjekteve politike përkatëse, u mor vesh, në disfavorin e subjekteve politike, të cilat nëpërmjet akuzimeve penale do të mund të dëmtoheshin ca më shumë”, tha prof. Smaka.
Proceset gjyqësore prekin veç- mas PDK-në
Eksperti tjetër i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, konsideron se vendimi i Holandës për t’i krijuar mundësi operimit në këtë vend të Gjykatës Speciale nga dita e parë e muajit janar të vitit që vjen, nuk i zë në befasi institucionet e shtetit të Kosovës, që, sipas Burjanit, janë përgatitur për punën e Gjykatës në fuqi edhe për kompensim material dhe për kompensim të punës, që do të bëjnë për të akuzuarit. “Tashmë ekziston një sigurim material, që buron nga ligji, andaj në aspektin social shteti ka siguruar ndihmën financiare dhe personat e akuzuar do ta kenë përkrahjen institucionale. Sidoqoftë konsideroj se nga ana tjetër nuk duhet të ketë tensione, pas ngritjes së akuzave të para ndaj individëve të caktuar, sado që ndikime do të ketë te funksionimi i disa subjekteve politike”, tha ai. Sipas Burjanit, Gjykata mund të ndikojë në funksionimin e disa partive politike, sidomos të PDK-së dhe në spektrin opozitar. “Tensione mund të ketë, por jo në masë të shkaktimit të trazirave, që mund të ndikojnë në destabilitetin institucional të vendit. Gjykata dhe funksionimi i saj po bëhet realitet, luftëtarët e lirisë kuptohet do ta mbrojnë me ndershmëri luftën e pastër për liri, sepse sado që do të ketë akuza serioze, mbase shumë mirë të orkestruara, në Kosovë askush nuk beson në raportin e Dick Martit, që ishte një raport triler fantastik”, tha Blerim Burjani. Pa ndonjë tronditje serioze pret të fillojë nga puna ky institucion “miks” i drejtësisë vendore e ndërkombëtare edhe analisti Nexhmedin Spahiu.
Ai beson se terreni politik i ruajtjes së stabilitetit në vend është i përgatitur kaherë, para se të votohet në Kuvend për Gjykatën Speciale. “Personalisht nuk besoj se do të ketë trazira që do ta tronditin skenën politike në vend. Ata që e kanë bërë vegshin ia kanë mbaruar edhe vegën, thotë te ne një fjalë popullore. Mbase mund të ketë përpjekje, por jo edhe sukses në këtë drejtim”, tha analisti Nexhmedin Spahiu./kosova sot/