ARKATANA

Specialja ka votat për të kaluar në Kuvend

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Pro themelimit të Gjykatës Speciale është thuajse e gjithë trupa e deputetëve të subjekteve në pushtet. Do të kalojnë amendamentet kushtetuese për të, sapo të hidhen për votim në Kuvend, shkruan sot Koha Ditore.

Janë vetëm tre deri në shtatë deputetë të PDK-së dhe LDK-së që do të votojnë kundër. Tre janë shprehur hapur, e vota e pesë të tjerëve nuk dihet saktësisht. Votat e tyre, bashkë me ato të deputetëve opozitarë, nuk janë të mjaftueshme për t’i ndalur këto amendamente, të cilat krijojnë bazën për ta themeluar Gjykatën që do të japë verdiktin përkitazi me krimet e luftës që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të UÇK-së.

Amendamentet kanë kaluar në Qeveri dhe e kanë marrë dritën jeshile edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në Kuvend nuk kanë treguar se kur do të hidhen në votim ato. Megjithëkëtë, ka pasur deklarata publike se do të vihen në rend dite menjëherë pasi deputetët serbë t’i japin fund bojkotit të punës së Kuvendit.

UBT

Për të kaluar një amendament kushtetues, Kushtetuta kërkon që pro tij të votojnë së paku dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Pra, kërkohet vota e së paku 80 prej 120 anëtarëve sa ka Kuvendi.

Opozita ka 31 deputetë dhe mbështetur në qëndrimet që liderët e tri subjekteve politike kanë shfaqur, asnjë nga deputetët e tyre nuk do të votojë pro Speciales.

Janë edhe 5 deputetë pa grup parlamentar.