Specialja intensifikon punën, paralajmërohen arrestime

Prokuroria Speciale, me seli në Hagë, ka intensifikuar punën ditëve të fundit duke i dërguar ftesë për intervistim ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Fadil Bekës dhe dy ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Fatmir Sopit e Sejdi Veselit. Ndërkohë dje u raportua se ftesë nga ky organ ka marrë edhe ministri në detyrë i Drejtësisë Abelard Tahiri, mirëpo ai nuk e pohoi e as nuk e mohoi një gjë të tillë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në valën e hetimeve të Prokurorisë Speciale, me seli në Hagë, janë shtuar edhe emrat e tre ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, të cilët duhet të paraqiten para këtij organi për intervistim. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili shërbeu si doktor gjatë kohës së luftës, Fadil Beka, dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Fatmir Sopi e Sejdiu Veseli, janë figurat e fundit që janë ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale e Hagës.

Po ashtu të mërkurën mediet raportuan se edhe ministri i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri, ka marrë ftesë nga Prokuroria Speciale, mirëpo ai vetë nuk ka pranuar të flasë për këtë gjë. Ndërkohë numri i personave të ftuar deri më tani nga Gjykata Speciale ka arritur të kalojë shifrën 100, teksa pjesë e intervistimeve ishin edhe figurat e rëndësishme të skenës politike në vend, si: kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti Sami Lushtaku, një ndër udhëheqësit kryesorë të Noredimës, Shukri Buja, Time Kadrijaj, Sylejman Selimi e shumë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Në anën tjetër përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së i kanë thënë gazetës se shumë shpejt priten edhe arrestimet e para, teksa avokatë të akredituar nga ky institucion kanë bërë të ditur se një gjë e tillë nuk mund të parashikohet ende.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).