RCCOLA

Specialja, “dhuratë” e drejtësisë së kapitulluar

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjykimi i krimeve të luftës dhe pas luftës në Kosovë. Gjykatat dhe prokuroritë, të pafuqishme për të trajtuar rastet e ndjeshme.

“Shumica e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia i kanë pasur gjykatat e tyre speciale për gjykimin e krimeve të luftës. Kosova në këtë aspekt ka dështuar dhe ndjekja e këtyre veprave nga organizatat ndërkombëtare (UNMIK dhe EULEX), po ashtu, nuk ka treguar rezultat,” tha hulumtuesja Albana Rexha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Presioni nga ndërkombëtarët për hetime të pavarura për krimet gjatë luftës dhe menjëherë pas përfundimit të saj, ka qenë prezent gjatë tërë kohës, megjithatë pakkujt i shkoi në mendje se Kosova do të duhej të niste procedurat për themelimin e një Gjykatë speciale, që do të merrej vetëm me krimet e supozuara të UÇK-së, e cila në pamje duket shumë e ngjashme e pothuajse ekuivalente me Tribunalin e Hagës, një gjykatë e përkohshme (ad hoc) për hetimin e krimeve të luftës të kryera në ish-Jugosllavi. Për këtë u kërkua edhe vetë ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës.

Herën e parë me shumë debat në Kuvend dështuan ndryshimet kushtetuese që do të hapnin rrugë për krijimin e kësaj gjykate, mirëpo herën e dytë disponimi i disa deputetëve ndryshoi. Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, në Kuvend u votuan ndryshimet kushtetuese për krijimin e gjykatës së kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Si e padrejtë kjo gjykatë u cilësua nga disa autoritete, nga opozita si dhe në përgjithësi nga qytetarët, mirëpo ata që e përkrahën patën pretekstin se me këtë rast do të dëshmohet lufta e pastër e UÇK-së.

Fundamenti

Të dënuarit hyjnë e dalin lirshëm nga burgu

Kjo gjykatë e specializuar u fut brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, me gjithë kundërshtitë e subjekteve opozitare me argumentet se po cenohet integriteti i autonomisë së drejtësisë dhe po dëmtohet lufta e UÇK-së për liri, si dhe argumenti tjetër se kjo gjykatë është e ndërtuar ekskluzivisht mbi baza etnike, dhe se rrjedhimisht e ka të pamundur të hedhë dritë mbi të vërtetën.

Gjykata Speciale, e cila do financohet nga fondet e BE-së, do të ketë selinë në Holandë, dhe shumë herë u dëgjua lidhja në mes të krijimit të saj me dështimin e drejtësisë vendase për të kryer me efikasitet hetimet, akuzat si dhe dënimet e personave specifikë./kosova sot/