Spahiu: Riformatimi i Qeverisë mund të sjellë telashe brenda partive në pushtet
Krerët e dy partive më të mëdha në vend PDK dhe LDK tash e disa kohë po zotohen për riformatizim të Qeverisë. Mirëpo, një gjë e tillë nuk po ndodhë. Në këtë drejtim po insiston edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar.
Por, sipas analistëve politikë, partitë në pushtet po i druhen këtij procesi. Kjo për faktin se riformatimi i Qeverisë mund të sjellë telashe brenda partive në pushtet.
Njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu thotë se riformatimi i Qeverisë nuk pritet të sjellë përplasje ndërmjet partnerëve të koalicionit, por më shumë brenda partive në pushtet.
“Janë mësuar njerëzit me pozicione koti. Prandaj, besoj se ky proces nuk do të jetë sfidë e lehtë për PDK-në dhe LDK-në, për sistemimin e njerëzve në pozita të rëndësishme shtetërore”, ka thënë Spahiu për Indeksonline.
Profesori universitar po kërkon qe të ndalohet me Kushtetutë numri i madh i ministrive. Kosovës, sipas tij, nuk i duhet më shumë se shtatë ministri.
“Në Qeverinë e Kosovës, nuk duhet të ketë zv/ministra. Nuk i duhet me pas zv/kryeministra koti. Dy prej ministrave mund të jenë zv/ kryeministra dhe s’ka nevojë më marrë rrogë koti pa pas resor. Ministrat nuk ka nevojë me pas më tepër se dy këshilltar. Kryeministri nuk i duhen më shumë se pesë këshilltar”, ka theksuar Spahiu.
Një kursim i tillë që do të bëhej, sipas tij, do të mund të dyfishonte buxhetin për drejtësinë.
“Fokusi tek Qeveria do të ishte më i madh. Ndryshe është kur mediat dhe shoqëria fokusohen në shtatë ministra dhe ndryshe në 22 ministra”, ka shtuar Spahiu. /Indeksonline.
E qeveritarët procesin e rifomrmtaimit po e ndërlidhin me çështjen e demarkacionit. Një proces i tillë, sipas tyre, do të ndodhë vetëm pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion. Kryeministri Mustafa ka deklaruar se riformatimi i Qeverisë do të ngërthej në vete edhe shkurtimin e kabinetit qeveritar./Indeksonline


