Sot, provimi pranues në UP “Hasan Prishtina”
Sot, prej orës nëntë do të mbahet provimi pranues në të gjitha fakultetet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, përveç në Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike do të fillojë në orën 11, kurse në atë të Mjekësisë dhe në Fakultetin Ekonomik, provimi pranues do të mbahet nesër prej orës nëntë.
Sipas konkursit shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet më së voni më datën 25 korrik.
Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2014- 2015, do të regjistrojë 10054 studentë, prej të cilëve 8294 studentë të rregullt dhe 1760 studentë me korrespondencë.
Si shtesë e numrit si më sipër, Universiteti do të regjistrojë edhe 326 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, 40 studentë të rregullt nga diaspora, 15 studentë të rregullt shtetas të huaj, si dhe 458 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë. Në programet ku nuk janë paraparë kuota të veçanta për kandidatë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kandidatët kanë të drejtë konkurrimi në kushte të njëjta me kandidatët nga Kosova.
Prej këtij viti Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që çdo i regjistruar në Universitetet Publike në vitin e parë akademik do të studiojë falas.


