Sopranoja kosovare që po mahnitë Evropën
Talentin e saj e shfaqi qysh në moshë të re. Atë e tregoi edhe në skenat ndërkombëtare. Fjala është për sopranon nga Kosova, Egzona Gërvalla, e cila po mahnitë të gjitha skenat me zërin e saj.
Egzona Gërvalla i filloi studimet që në moshë të re në shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë. Pastaj vazhdoi studimet në Degën e Kantos në Akademinë e Arteve në Tiranë, me pedagogen e shquar, prof. Nina Mula. Më tej, ajo i vazhdoi studimet në kolegjin e muzikës në Vadstena (Suedi) dhe në konservatorin “Peter Cornelius” në Mainz (Gjermani). Karriera e saj muzikore po vazhdon me sukses nëpër koncerte të ndryshme, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni, si dhe në vende të ndryshme të Evropës. Kësaj radhe, ne e patëm rastin që ta realizojmë një intervistë dhe të flasim më gjerësisht me të për tema të ndryshme.
Tribuna: Si është gjendja aktuale e artit muzikor në Kosovë?
Egzona Gërvalla: Kosova, fatmirësisht ka talente të reja dhe premtuese, si dhe artistë me vlera. Element kyç për ta përmirësuar gjendjen aktuale të artit muzikor në Kosovë është mbështetja financiare për artistët dhe institucionet kulturore, qoftë nga Ministria e Kulturës apo nga komunat. Arti kërkon financim, nuk mund ta financojë vetveten. Unë i përkas muzikës klasike. Në fushën time nuk ka sfida të tilla, po ka të bëjë me talentin, zotësinë, fuqinë dhe performancën e një artisti. Sakrificat dhe vështirësitë për të arritur sukses dhe për të bërë karrierë si artiste janë të mëdha.
Tribuna: Jeni lindur në Prishtinë. Ju kujtohet kënga e parë që e keni kënduar që në vegjëli?
Gërvalla: Mbaj mend se qysh e vogël i kam admiruar këngët e vjetra qytetare. Një ndër këngët e para që më ka bërë përshtypje, e që e kam kënduar, ka qenë kënga “Luleborë”, kënga më e pëlqyer shqiptare gjatë vegjëlisë sime.
Tribuna: Cilat janë dallimet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës sa i përket Degës së Kantos?
Gërvalla: Mendoj që dedikimi në Degën e Kantos është i lartë, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Për dallim me Prishtinën, Tirana ka salla koncertale adekuate për këndimin lirik, e ka Teatrin e Operës dhe Baletit, që u mundëson artisteve të saj ta shfaqin talentin dhe interpretimin e tyre ne këto hapësira. Shpresoj që edhe në Prishtinë, sa më shpejt, ta gëzojmë një privilegj të tillë.
Tribuna: Në sa koncerte solistike keni marrë pjesë deri tani?
Gërvalla: Në majin e këtij viti kam debutuar me koncertin tim të parë solistik në Shkup. Dy i kam realizuar deri tani, në Shkup dhe në Tetovë. Në tetor do të mbahen në Prishtinë dhe Tiranë, e për të vazhduar më pas edhe në Evropë. Për zërin tim dhe në përzgjedhjen e programit të këtyre koncerteve, momentalisht përkujdeset profesoresha ime e kantos, Merita Juniku, një artiste e madhe, me përvojë në skenat operistike evropiane, pra me një bagazh të madh artistik.
Tribuna: Mendoni se me profesionin tuaj është e vështirë të mbijetohet në Kosovë?
Gërvalla: Aktualisht, po. Përveç vet organizimeve dhe vetëfinancimeve të koncerteve solistike, mundësi e vetme punësimi për këngëtaret e muzikës klasike në Kosovë është Kori i Filarmonisë së Kosovës, institucion i cili nuk shpall as audicione për artistë të rinj.
Tribuna: Keni menduar ta realizoni ndonjë album?
Gërvalla: Po, e kam menduar. Albumi natyrisht që do të përmbajë arie të ndryshme operistike, e pse jo edhe ndonjë romancë të bukur të Straussit apo Brahmsit.


