Soltes: Shpresoj këtë vit të hiqen vizat, kosovaret po largohen për një jetë më të mirë

Ndonëse kanë kaluar disa vite që kur nisi procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, ende qytetarët nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes lirshëm nëpër vendet e BE-së.

Procesi i liberalizimit të vizave nisi në vitin 2012 ku Kosovës iu kërkua që të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv, ku ky rekomandim u dha në muajin korrik të vitit të kaluar, pas votimit të demarkacionit.

Ndërsa, në muajin shtator të 2018-ës, Parlamenti votoi për liberalizimin e vizave por, në dhjetor kjo çështje nuk u vë në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke e përfunduar edhe një vit pa viza.

Tani, Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, për Indeksonline shpreson se përfundimisht këtë vit të ndodh liberalizimi i vizave.

Mirëpo, ai thotë se gjithçka varet nga shtetet anëtare. “Shpresoj se kjo do të ndodhë këtë vit, por gjithçka varet nga shtetet anëtare dhe për ato që japin dritën e gjelbër në mënyrë që institucionet evropiane të vazhdojnë punën e tyre ligjore për këtë proces”, ka thënë Soltes për Indeksonline.

Ai e ka komentuar edhe largimin masiv të qytetarëve nga Kosova përmes vizave të punës.

Pritjet e qytetarëve para Ambasadës
Soltes thotë se ata që janë larguar kanë kërkuar mundësi më të mira, por, që do të kthehen përsëri në shtëpi.

“Njerëzit kërkojnë mundësi më të mira. Megjithatë, unë besoj fuqimisht se këta njerëz do të kthehen në shtëpi përfundimisht”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar po ashtu se qytetarëve duhet tu jepen mundësi më të mira për një jetë më të mirë, duke luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Është e rëndësishme që secili vend të ketë një ekonomi të qëndrueshme, të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të jetë në gjendje t’u japë qytetarëve të saj mundësitë më të mira të mundshme dhe një jetë të mirë”, ka deklaruar Soltes.

Edhe, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emrush Ujkani për Indeksonline shpreson se vendet anëtare më në fund do të ndryshojnë qëndrimin karshi këtij procesi dhe që qytetarët të lëvizin lirshëm pa viza.

“Shpresoj më në fund që vendet anëtare getoizimi i qytetarëve të Kosovës sa shfaq problem për brenda Kosovës, aq edhe shtetet anëtare. Dhe rrjedhimisht, me kalimin edhe të zgjedhjeve parlamentareve, pra zgjedhjeve të BE-së, qëndrimi i shteteve anëtare do të vijë duke u ndryshuar dhe do të jetë një konfirmim i asaj që të gjithë presim, që qytetarët të lëvizin pa viza”, ka deklaruar Ujkani.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së Parlamentit të Holandës për heqjen e vizave për Shqipërinë, ai nuk beson që do të ketë ndikim tek procesi i liberalizimit për Kosovën.

“Nuk besoj, është shtet ma i zhvilluar. Shqipëria është në shengenin e bardh dhe nuk besoj që mundet me ndiku. Parlamenti ka dhanë vendimin e vet, Qeveria ka mendim ndryshe, dhe nuk besoj që ndikon. Po ashtu, Këshilli i BE-së do të vendos me shumicë të kualifikuar për vizat për Kosovën”, ka shtuar Ujkani.

Kurse për hapat e mëtutjeshëm të procesit të liberalizimit të vizave, Soltes ka thënë se vendimi i mbetet Parlamentit dhe Këshillit Evropian, një procedurë kjo standarde e BE-së.

“Parlamenti Evropian dhe Komisioni Europian kanë dhënë dritë jeshile, ndërsa shtetet anëtare akoma dhe topi tani është në fushën e tyre. Pasi të ndodh kjo, Parlamenti dhe Këshilli Evropian mund të vazhdojnë me trilogj (negociata politike) për të lejuar regjimin pa viza për Kosovën. Kjo është një procedurë legjislative standarde në BE”, ka thënë mes të tjerash Soltes.

Edhe Tanja Fajon me herët ka deklaruar se Evropa është duke humbur kredibilitetin për shkak të mosdhënies së vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, Komisionari Evropian, Dimitris Avrampoulos, ka thënë se perspektiva evropiane e gjithë rajonit është në rrezik nëse nuk ndodh liberalizimi i vizave për kosovarët./Indeksonline/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).