Sokoli nuk ndalet, fillon projekte edhe në Vërban

Viti – Me një solemnitet rasti ka nisur sot në Vërban të Vitisë, projekti i kanalizimit i cili është cilësuar si një nga projektet jetike për banorët së bashku me atë të ujësjellësit. Duke folur në këtë inaugurim të filmimit të punimeve, kryetari i Vitisë Sokol Haliti, është shprehur se ndihet i nderuar që gjendet para banorëve të Vërbanit, për të nisur një projekt shumë të rëndësishëm dhe tejet të domosdoshëm për këtë lokalitet.
“Jam i nderuar që më është mundësuar të jem nismëtar i njërit nga makroprojektet kryesore të fshatit Vërban. Këtij fshati i kanë munguar projektet më të rëndësishme siç janë kanalizimi dhe ujësjellësi. Ne po angazhohemi që gradualisht me punën tonë dhe me përkushtim, të arrijmë dal nga dal pas përfundimit të projektit të kanalizimit të bëjmë të mundur banorëve edhe sigurimin e ujitë të pijshëm”, tha Haliti.
Ai ka theksuar se komuna e Vitisë, sivjet ka treguar qëndrueshmëri në realizimin e projekteve, duke përmendur projektin e kanalizimit në Gërmovë dhe rifillimin e punës së rregullimit të kanalizimit në Smirë dhe për të përfunduar ai në Goshicë.
Projekti i kanalizimit në Vërban, ka një shtrirje prej afër 19 kilometrash dhe kap një kosto prej afër 280.000 euro, që janë mjete të buxhetit komunal.
Kryetari i këshillit të fshatit Afrim Ramushi, ka falënderuar institucionet komunale për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin fshatit Vërban dhe ka theksuar se do të finalizohen edhe projekte tjera jetike që kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve të këtij lokaliteti./rajonipress/