UBT

Sokol Haliti raporton para këshilltarëve komunal

/ 3 minuta lexim

Viti – Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur seancën e tetë të rregullt. Gjatë kësaj seance janë shqyrtuar gjithsej 9 pika të cilat ishin paraparë me rend të ditës. Megjithatë më së shumti është diskutuar mbi Informatën e Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti për periudhën Janar-Qershor 2018, ku përfaqësues të pozitës dhe opozitës kishin mendime të ndryshme mbi punët dhe aktivitetet të zhvilluara për këtë gjashtë mujor.

Sokol Haliti ndër tjerash ka informuar Kuvendin mbi punët e zhvilluara në të gjitha drejtoritë komunale. “Gjatë qeverisjes së deritanishme arritëm të përmirësojmë infrastrukturën komunale, ngritjen e cilësisë së shërbimeve komunale dhe administrative dhe realizimin e kërkesave të qytetarëve për projekte në infrastrukturë të përgjithshme jetësore. Investuam në infrastrukturën rrugore, infrastrukturën shkollore, shëndetësore, si dhe në atë sanitare, ku krijuam një ambient më të pastër e shumë aktivitete të tjera që shërbejnë në cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë. Këto dhe shumë projekte tjera janë realizuar sipas një vizioni paraprak dhe sipas një plan programi të strukturuar me shumë kujdes se bashku me kabinetin qeverisës”, u shpreh Haliti.

Fidanishtja

Kurse pas diskutimit të informatës së kryetarit Haliti që ka zgjatur me orë të tëra Kuvendi ka diskutuar dhe votuar me shumicë votash të gjitha pikat e parapara për diskutim dhe votim gjatë kësaj mbledhje si: Pasqyrat Financiare të buxhetit Komunal për periudha Janar-Qershor 2018, Propozim Rregulloren për përbërjen, detyrat, përgjegjësitë dhe punën e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, Propozim vendim për aprovim të planit të veprimit lokal në mjedis, Propozim vendim për hartimin e planit të veprimit lokal në Biodiversitet, Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komiteteve Konsultative për Personat me aftësi të Kufizuara dhe Komiteti për Pjesëmarrjen e Qytetarëve në Vendimmarrje, Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për shpalljen në diskutim publik propozimin për ndryshimin e rregullores për Tatimin në Pronë të Komunës së Vitisë për vitin 2019, Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për shpalljen në diskutim publik propozimin për ndryshimin e rregullores për Taksa Ngarkesa dhe Gjoba të Komunës së Vitisë për vitin 2019./rajonipress/