Sokol Haliti në Kalabri, viziton San Cosmo Albanese në gjurmët e historisë dhe identitetit arbëresh
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, gjatë qëndrimit në Kalabri të Italisë, ka zhvilluar një vizitë kulturore në San Cosmo Albanese, një nga vendbanimet historike arbëreshe, ku nga afër u njoh me trashëgiminë, traditat dhe përpjekjet shekullore për ruajtjen e identitetit shqiptar.
Vizita në këtë vendbanim të veçantë të Kalabrisë përbën një udhëtim në kujtesën historike të një komuniteti që, pavarësisht shekujve të kaluar larg trojeve shqiptare, ka arritur të ruajë gjuhën, zakonet, besimin dhe elementet themelore të identitetit të tij kombëtar.
Gjatë vizitës, Haliti u njoh me pasurinë e trashëgimisë arbëreshe dhe me mënyrën se si brezat e këtij komuniteti kanë kultivuar dhe përcjellë gjuhën shqipe dhe traditat e tyre, duke e shndërruar ruajtjen e identitetit në një mision të vazhdueshëm kulturor e historik.
Kryetari Haliti vlerësoi trashëgiminë arbëreshe si një pasuri të çmuar të përbashkët kombëtare dhe kulturore, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kësaj lidhjeje historike dhe të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe komuniteteve shqiptare, përmes shkëmbimeve kulturore dhe nismave të përbashkëta.
Në këtë frymë, ai shprehu mirënjohje për kryetarin e Bashkisë së San Cosmo Albanese, Damiano Baffa, si dhe për të gjithë nikoqirët, për mikpritjen dhe mundësinë e njohjes nga afër me historinë dhe vlerat e këtij vendbanimi arbëresh.
San Cosmo Albanese nuk përfaqëson vetëm një pikë gjeografike në hartën e Kalabrisë, por edhe një dëshmi të gjallë të qëndresës së identitetit shqiptar, të një historie që ka kapërcyer shekujt dhe kufijtë pa humbur lidhjen me gjuhën dhe rrënjët e veta./rajonipress/

