Sokol Haliti merr pjesë në lansimin e Rrjetit për Siguri në Komunitet, nismë e OSBE-së në Kosovë
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka marrë pjesë në lansimin e Rrjetit për Siguri në Komunitet (RRSK), një nismë e ambasadorit Gerard McGurk, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, që synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe rritjen e sigurisë në komunitetet në mbarë vendin.
Aktiviteti është organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, në Hotel Emerald në Prishtinë, ku është prezantuar kjo nismë që synon të krijojë mekanizma më të qëndrueshëm të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore e lokale, Policisë së Kosovës, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Rrjeti për Siguri në Komunitet synon të mundësojë identifikimin më të shpejtë të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, shkëmbimin e informatave dhe koordinimin e veprimeve për adresimin e problemeve përmes zgjidhjeve të përbashkëta.
Në kuadër të kësaj nisme, rëndësi e veçantë i kushtohet bashkëpunimit ndërmjet Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi dhe Komiteteve Lokale për Siguri Publike, me synimin që qytetarët të kenë rol më aktiv në identifikimin dhe trajtimin e çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
Fushat kryesore që do të trajtohen përmes këtij rrjeti përfshijnë parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, rritjen e sigurisë në trafik dhe në shkolla, parandalimin e dukurive negative te të rinjtë, mbrojtjen e mjedisit, si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Pjesëmarrja e kryetarit Sokol Haliti në këtë aktivitet vë në pah rëndësinë e përfshirjes së nivelit lokal në mekanizmat e bashkëpunimit për sigurinë publike dhe në përpjekjet për krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët./rajonipress/

