RCCOLA

S`mjafton rritja

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Pavarësisht rritjes ekonomike më të lartë në rajon, Kosova nuk vlerësohet se i ka punët mirë me shumë indikatorë makroekonomikë. Presidentja e vendit, Ahtifete Jahjaga, thotë se normat e rritjes ekonomike nuk janë të mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, të hapjes së vendeve të reja të punës dhe të zbutjes së varfërisë.

Krenohen se prijnë me rritjen ekonomike në rajon. Thonë se kanë ndërtuar sektor të qëndrueshëm financiar e fiskal që do ta kishin lakmi shumë vende përreth. Por, kur krahasohet me vendet e rajonit, ekonomia e Kosovës me të cilën krenohen institucionet vendëse del se nuk i ka punët për mashalla.

Madje, edhe krerët më të lartë të shtetit nuk janë të kënaqur me pozitën në të cilën është Kosova tani.

Të dhënat e prezantuara në Raportin e Bankës Qendrore për stabilitetin financiar tregojnë se këtë vit Kosova mezi po e mban trendin e rritjes mbi 3 për qind.

Gjatë gjithë vitit shihet se vendi është përcjellë me rënie të theksuar të të gjithë indikatorëve makroekonomikë.

Më së shumti kanë pësuar investimet e huaja direkte, në masën mbi 50 për qind, pastaj ka pasur rënie të eksportit, të dërgesave nga jashtë, kreditimit dhe depozitave.

Ndërsa rritje kanë shënuar kreditë e këqija nga 5.9 në 6.5 për qind.

Të gjitha këto, sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore, janë menaxhuar mirë dhe nuk paraqesin rrezik të madh për stabilitetin makroekonomik.

“Gjatë kësaj periudhe, me gjithë përballjen me vështirësitë e shkaktuara nga kriza ekonomike globale, Republika e Kosovës ka arritur të ruajë stabilitetin makroekonomik. Rritja ekonomike vazhdon të jetë pozitive, duke e mbajtur në nivel të arsyeshëm edhe borxhin publik”, është shprehur presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga.

Ajo që rrallë është parë në ngjarje që kanë të bëjnë me ekonominë tregoi se nuk është e kënaqur me atë çfarë është bërë deri më tani në këtë drejtim.

Fundamenti

Normat e rritjes ekonomike në vend, sipas saj, nuk janë të mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, të hapjes së vendeve të reja të punës dhe të zbutjes së varfërisë.

Jahjaga u shpreh e shqetësuar me deficitin e lartë tregtar, duke thënë se është e papranueshme që importi i Kosovës të mbulohet me vetëm pesë për qind eksport, duke e vënë Kosovën në varshmëri nga produktet e huaja.

Për të përmirësuar këtë bilanc, ajo ka kërkuar që institucionet vendimmarrëse përmes strategjisë së zhvillimit ekonomik afatgjatë të politikës ekonomike aktive, e cila me instrumentet e saj, të nxitë zhvillimin e shpejtuar të ekonomisë dhe absorbon kapitalin e huaj, duke krijuar kështu parakushtet themelore për një zhvillim të qëndrueshëm.

Ajo e di edhe kush është fajtor për zhvillimin jo të mjaftueshëm ekonomik në vend.

“Si institucione të Republikës së Kosovës do të vazhdojmë reformat për forcimin e rendit dhe të ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale duke qenë të përkushtuar që dukuritë negative në vend t’i çrrënjosim, pasi ato e pengojnë zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet, e pengojnë jetën e qytetarit tonë duke larguar ardhjen e kapitalit dhe të investimeve”, është shprehur Jahjaga.

Ndërkaq, guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, tha se përkundër rreziqeve në rritje nga sektori i jashtëm, ekonomia e Kosovës në vitin 2012 pritet të shënojë normë pozitive të rritjes. Megjithatë, sipas tij, ekonomia e vendit nuk ka shpëtuar pa u prekur nga efektet e krizës, me të cilat ballafaqohen disa nga shtetet e zhvilluara, e sidomos ato të eurozonës, të cilat kanë bërë që norma e rritjes, përkundër që është pozitive, të jetë më e ulët sesa viteve të kaluara.

“Të hyrat nga sektori i jashtëm kanë pasur një ndikim negativ, kryesisht për shkak të rënies së eksportit, investimeve të huaja direkt dhe deri diku dhe të dërgesave të emigrantëve. Presionet inflacioniste gjatë kësaj periudhe janë zbutur ndjeshëm, përderisa sfidë për ekonominë e Kosovës vazhdon të mbetet deficiti i lartë tregtar”, ka thënë Gërguri.

Sipas tij, sektori financiar i Kosovës ka vazhduar të jetë ndër shtytësit me të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit.

Treguesit kyç të stabilitetit të sektorit financiar, si shkalla e likuiditetit dhe kapitalizimit si dhe cilësia e portofolit kreditor, për kreun e këtij institucioni mbetet në nivel të kënaqshëm.

Në raportin e stabilitetit financiar shihet se niveli i zgjerimit të këtij sektori përmes aktivitetit kreditor ka shënuar ngadalësim.(express)