Fundamenti

S’mbetet pa medalje

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Majlinda Kelmendi nuk ka mundur ta fitojë medaljen e artë në “Grand Slam Abu Dhabi”. Megjithatë, xhudistja kosovare nuk është koritur, duke e fituar medaljen e bronztë. Pejania e mposhti gjermanen Mareen Kraeh në repasazh, duke ia sjell vendit të saj, Kosovës, një tjetër medalje. Majlinda ishte eliminuar në gjysmëfinale, pasi ishte mposhtur nga braziliania Erika Miranda, duke iu shuar shpresat për të artën, por ajo nuk e lëshoi mundësinë e dytë për medalje, duke përfunduar në podium si e bronztë.

“Unë nuk jam mësuar të fitoj medalje të bronztë, por po kthehem nga një lëndim dhe jam e lumtur që fitova medalje dhe që mund të shërohem për kompeticionet tjera”, ka thënë Majlinda për uebfaqen “worldjudoday.com”.

“Mua më pëlqen shumë atmosfera dhe njerëzit këtu në Abu Dhabi. Unë ndihem mirë, e fuqishme dhe optimiste. E rëndësishme është të ushtrosh si një mashkull, për të arritur suksese”, ka shtuar ajo.

Majlinda ishte rikthyer së fundmi furishëm, pas operimit në gju, duke fituar medalje të artë në Francë dhe Portugali, por nuk ia doli ta bënte të njëjtën gjë edhe në Abu Dhabi. Megjithatë, ajo po përgatitet fuqishëm për Olimpiadën e Rios, që mbahet vitin tjetër.

Hidromorava

Eliminohen Nora e Distria

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë eliminuar herët nga “Judo Grand-Slam Abu-Dhabi 2015”. Nora u eliminua qysh në rrethin e parë nga xhudistja nga Taipei, Chen-Ling Lien. Kurse, Distria u mund nga gjermania Mareen Kraeh, derisa në rrethin e parë e kishte mundur xhudisten nga Panamaja, Kristine Jimenez. Ndërkohë, Krasniqi e ka pësuar një lëndim dhe nuk dihet se sa do të mungojë ajo.

Kuka: Katër javë, gjashtë medalje

Trajneri Driton Kuka është shprehur mjaft i kënaqur me eksperiencën që e kaluan garueset e tij në Abu Dhabi. Fillimisht, Distria e fitoi Botërorin e junioreve, kurse më pas Majlinda të bronztën. “Sot edhe një medalje nga ‘Grand Slam Abu Dhabi’, Majlinda e bronztë e Distria me medaljen e saj të artë të fituar nga Botërori para disa ditëve. Katër javë, gjashtë medalje. Lisbona, Paris dhe dy në Abu Dhabi”, ka shkruar Kuka në Facebook. /Zëri/