Smakaj këshillohet të mos përzihet në tenderë

Debate me zë të lartë janë zhvilluar të premten në një nga sallat e Kuvendit të Kosovës. Prapa dyerve ku ruante një agjent, shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj dhe inspektori i përgjithshëm, Agron Selimaj, debatonin me anëtarët e Komisionit parlamentar për afera të zbuluara nga mediet.
Aty flitej se si një firmë, pronari i së cilës është i dënuar për mashtrim në detyrë ka arritur të fitojë tender për ndërtimin e objekteve të AKI-së, dhe nuk i është bërë verifikimi paraprakisht.
Tek pas raportimit të “Kohës Ditore” ditë më parë për këtë rast dhe takimet që kishte pasur Smakaj me pronarët e një kompanie tjetër që kishte kontratë për ndërtimin e objekteve të AKI-së që i ishte shkëputur kontrata, për t’iu dhënë të dënuarit për mashtrim, Smakaj është detyruar të japë shpjegime. Debati ka zgjatur rreth dy orë.