SKV: Pranga për Rugovën, Mrasorin dhe Kutllovcin

Ditë më parë, Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, ka informuar për rastin e fundit të blerjes së një çmimi nga Rektori i UP-së, Mujë Rugova, dhe prorektori Naser Mrasori.

Në një konferencë për shtyp, ata i kanë bërë publike gjetjet e tyre kundër Rugovës, Mrasorit dhe prorektorit tjetër Enver Kutllovci.

“Sipas vendimit Ref. nr. 1/439 të lëshuar me 23.05.2012 nga prorektori Enver Kutllovci, mësuam se rektori Muje Rugova dhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Naser Mrasori, vizitojnë New Yorkun nga data 25-30 qershor, ndërsa Britaninë e Madhe nga 1-2 qershori.

Sipas vendimit kjo bëhet pasi që atje do të merrnin pjesë në Samitin për Cilësi dhe Teknologji të B.I.D.(Business Initiative Diractions), ku do të marrin një çmim ndërkombëtar për ‘cilësi’. Në këtë mënyrë ata zgjodhën ta mashtrojnë publikun. Ata kishin vendosur që ta blejnë çmimin”, tha Astrit Dehari në konferencën për shtyp.

Sipas një kuponi të shpenzimeve shihet se ata paguan 3900 euro për të marrë këtë “çmim”. Në këtë vlerë përfshiheshin fjetja, ushqimi, çmimi, një foto me çmimin dhe një DVD.

“Por, nuk mjaftonte vetëm kaq! Këta dy përfaqësues të UP-së morën edhe 7000 euro mëditje për udhëtimin e mashtrimit nga fondi publik i Universitetit të Prishtinës. Sipas ligjeve ne fuqi që përcaktojnë tarifat për meditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, del se për kaq ditë sa kanë qëndruar në SHBA dhe në Britani të Madhe atyre u takon mëditja prej 4644 eurosh. Pra, ne duam të dimë, ku janë edhe 2356 euro, apo me gjuhën e ne studentëve: 47 pagesa për semestër”?

SKV kërkon shkarkim të menjëhershëm të Mujë Rugovës, Naser Mrasorit dhe Enver Kutllovcit.

“Këta tre njerëz, bashkë dhe me vetëdije e vodhën UP-në, ndërkaq u munduan të na mashtrojnë të gjithëve me një sukses të paqenë. Kërkesa për shkarkim të rektorit dhe prangosje të tij merr kuptim edhe më shumë pas një sërë dokumentesh që i kemi dërguar në Prokurori dhe pas atyre që po i publikojmë sot. Rektori Rugova, në vitin 2010 ka deklaruar se ka pasuri të patundshme 2 ara ( 3800 m2 dhe 700m2), një livadh (1800m2) e një mal (6000m2) dhe për atë vit rektori deklaroi se posedonte të depozituara 15,000 euro. Rektori Rugova, në vitin 2011 ka deklaruar se me po të njëjtat ara, livadhe e me të njëjtin mal ka të depozituara 55,000 euro.

Rektori Rugova, në vitin 2012 ka deklaruar se me po të njëjtat ara, livadhe e me të njëjtin mal ka të depozituar hiq me pak se 102,050euro. Këto deklarime janë kulmi i korrupsionit. Asnjë qytetar i Kosovës s’mund të rrijë i qetë përballë këtyre fakteve, prandaj ne kërkojmë përgjegjësi”.

SKV thotë se Mujë Rugova dëmton buxhetin e Republikës, duke qenë në moshë të pensionit, e duke marrë pagë vjetore 18 mijë euro nga UP dhe si anëtar i bordit të KEK-ut, 9200 euro tjera.

“Shumëfishimi i pasurisë së tij për tre vite s’mund të ketë tjetër prejardhje veçse i arsyetuar me korrupsionin që ka shpërthyer në Universitetin e Prishtinës”, u tha në konferencë, ku i bëhet thirrje institucioneve të drejtësisë që të merren menjëherë dhe seriozisht me skandalet në UP.

Anëtari tjetër i SKV-së, Rron Gjinovci, ka kërkuar nga ministri i Arsimit, Ramë Buja, që të suspendojë rektorin dhe prorektorët keqpërdorues si dhe të fillojë procedurat e shkarkimit të tyre.

“I kërkojmë Prokurorisë së Shtetit që në bazë të fuqive që ka të prangosë menjëherë këta keqpërdorues dhe t’i thellojë hetimet për t’i prangosur edhe dhjetëra keqpërdorues të tjerë”.

Më poshtë do t’i publikojmë formularët e deklarimit të pasurisë nga rektori Muje Rugova në vitin 2010, 2011, 2012, si dhe vendimin e prorektorit Enver Kutllovci për lejimin e 7 mijë eurove për udhëtimin e blerjes se çmimit për “cilësi”, të siguruara nga SKV. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS