Skulptura e Sislej Xhafës, atraksion për turistët

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Qyteti më i madh i Zvicrës, Cyrihu, po identifikohet me skulpturën e artistit të njohur shqiptar, Sislej Xhafa.

Vepra skulpturale e artistit të njohur kosovar, Sislej Xhafa, që është bërë sinonim në lagjen “Hardau” të Cyrihut dhe që tashmë është njëra nga objektet më impozante e dominuese në këtë rrethinë, ka filluar të bëhet atraksion edhe për turistët e huaj.

Zurich In Your Pocket, një guidë udhëzuese për turistët e huaj, në ballinën e saj ka publikuar skulpturën në formë Y, vepër e artistit Sislej Xhafa.

Përgjegjësit për turizëm në Cyrih kanë ftuar turistët e huaj të vizitojnë edhe këtë vepër skulpturale në lagjen “Hardau”, 15 metra të lartë.

Mobi Casa

Skulptura që paraqet një hobe (llastik) gjigante të punuar nga qelqi akrilik me emrin “Y” (anglisht shqiptohet si Why, Përse), ngjall asociacione nga më të ndryshmet dhe, krahas kësaj, nëpërmes ndriçimit që liron natën në ngjyrat kuq e verdhë është një objekt tërheqës.

Skulptura e punuar nga artisti kosovar me qëndrim në SHBA, Sislej Xhafa, është përuruar më 23 shtator.

Kjo skulpturë, në trajtën e shkronjës Y, qe zgjedhur më e mira në një konkurs që pati shpallur Komuna e Cyrihut para dy vjetësh, e ku ishin ftuar në veçanti të merrnin pjesë artistët të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte kanë ndier lëvizjet migruese ose që i kanë tematizuar ato, në krijimet e tyre.