RCCOLA

S’kishte policë për ta dërguar në gjykatë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Prokurori Mauricio Salustro ka kryer punë në Mitrovicë ku është mbajtur seanca fillestare në rastin e vëllezërve Geci, për të ardhur në Prishtinë në orën 15:00. Mirëpo prokurori dhe gjyqtarja kot pritën një orë pasi që seanca fillestare në rastin “Bllaca III” nuk u mbajt. Ajo u anulua pasi që i akuzuari Nazim Bllaca nuk u soll në gjykatë.

Seanca u shty për një ditë tjetër, ndërkaq sqarimi nga EULEX-i është se as i akuzuari e as avokati i tij nuk janë paraqitur në sallë në orën e caktuar. “Seanca është anuluar për shkak se i akuzuari dhe avokati i tij i caktuar me detyrë zyrtare, nuk janë paraqitur në gjykatë”, tha për Tribunën zëdhënësja e EULEX-it Bardha Azari.

Nazim Bllaca është dëshmitar bashkëpunues i gjykatës dhe prej vitit 2009 ruhet nga policia e EULEX-it në shtëpinë e tij në Ribar të Madh. Përgjegjësinë për të e kanë policët e EULEX-it.

Uji Dea

Bllaca tha për “Tribunën” se të martën ka qenë dashur që të jetë në seancë por nuk e ka sjellë policia. “Më thanë që nuk kanë mundur që të organizohet njësia për transport e Policisë. Tash po pres kur do të më tregojnë se kur do fillojë seanca e radhës”, tha Bllaca. Ai tha se është i gatshëm çdo herë që të jetë i pranishëm në sallë dhe të rrëfejë për ato që i ka bërë. “Tash s’ka kthim prapa”, ka thënë Bllaca.

I vetëquajtur si pjesëtar i SHIK-ut, Bllaca ka pranuar se e ka vrarë Ibush Kllokoqin më 3 gusht të vitit 1999 së bashku me Shpresim Ukën, Sadik Abazin dhe Bekim Sylën. Të tre janë dënuar me 15, përkatësisht me nga 12 vjet burg.

Sipas deklaratave të Bllacës, janë dënuar edhe Shaban Syla dhe Driton Hajdari me shtatë përkatësisht pesë vjet burg për tentim vrasjen e Adem Salihajt. Në një proces tjetër gjyqësor është dënuar me 18 vjet burg Fahredin Gashi për vrasjen e Sali Gashit.