Fundamenti

Skicë: Sot, me poeten Enkelejda Kondi…

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Murat Gecaj – Një lexues i vëmendshëm i faqeve të Internetit, sidomos në FB, është informuar se poetja Enkelejda Kondi, me banim familjarisht në Francë, këto ditë ka ardhur për pak ditë pushime në Shqipëri. Përveç Pogradecit piktoresk, ajo ka vizituar Strugën e Ohrin dhe Durrësin e bukur bregdetar. Mallin e pashuar për vendlindjen e njerëzit e saj të dashur, por dhe për kolegë e miq, ajo e ka shprehur me fotot e publikuara dhe fjalët e saj, plot mallëngjim e emocion.

Nuk e pyeta Ledin, se me cilët njerëz ishte takuar më parë në kryeqytet, por ajo shprehu dëshirën që të takoheshim edhe bashkë, për një kafe. Se sa herë ajo kthehet këtu, nuk e harron këtë gjest mirësjelljeje dhe mirënjohjeje, njëkohësisht. Buzagase, si një “çupë” gjirokastrite, lindur e rritur në Maliqin e Korçës, ajo më priti në hollin e Hotelit “Tirana”. Sigurisht, meqenëse ka vite që njihemi, bisedat e para ishin për shëndetin dhe familjet tona. Por një temë e pëlqyer për të dy ne ishin edhe botimet, pra librat e publikuar ose që janë në dorëshkrim dhe presin dritën e botimit.

Në një qese të posaçme, Ledi kishte disa kopje të librit të saj me poezi, “Heshtje e kthjellët” (Tiranë,2014). Në pamundësi takimi me ta, meqenëse do të kthehej për në vendbanimin e saj,ajo më la kopje të këtij libri: për personalitetin e shquar të letrave shqipe, Dritëro Agolli; për krijuesin e njohur Arben Duka; për poeten e mësuesen Merita Gjoni-Gjoka dhe publicistin e studiuesin Sejdo Harka. Gjithashtu, ajo ruajti një kopje të këtij libri, me shpresë se do ta takonte e t’ia dhuronte vetë, poetit të mirënjohur, Xhevahir Spahiu.

Pata kënaqësinë që unë t’i dhuroja Ledit, me një shënim dashamirës, librin tim më të fundit, “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015). Ndërmjet 91 poeteve e shkrimtareve, artisteve e veprimtareve tona të njohura, me banim në trojet shqiptare e në diasporë, aty është edhe shkrimi “Enkelejda Kondi: Kur me zemër, thurë ëndrra e poezi të bukura”(fq.66-69). Aty flitet për dy libra me poezi të saj, “Ëndrra e një vajze”(Tiranë, 2010) e “Shtegtim ndjenjash”(Tiranë, 2011), që në atë kohë ajo m’i dërgoi me postë, nga Franca.

Pasi bëmë një bisedë të këndshme, shkëmbyem dhurata dhe pimë pije freskuese, u ndamë përzemërsisht, me dëshirën e shpresën se do të takohemi përsëri në kryeqytetin tonë, me lajme e botime të reja. U përshëndetëm e Ledi nxitoi të priste dhe të takonte dy mike të saj, që e kërkuan përmes celularit.

UBT

Poetja Enkeljeda Kondi do të udhëtojë për në vendbanimin e saj, Perpignan, një qytet në jug të Francës. Por kokën e vështrimin do t’i mbajë pas dhe mendimet do t’i ketë, si gjithnjë, në vendlindje. Se kjo i jep forca e frymëzim të pandërprerë, për të krijuar e botuar libra sa më të bukur poetikë.

-Mirupafshim, Ledi dhe të urojmë udhëtim të mbarë e gjitha të mirat, në jetën tënde, si vetjake e familjare, me pritmëri për libra të tjerë poetikë, gjithnjë e më cilësorë!/rajonipress/

Tiranë, 2 gusht 2016