Skenarët e PDK-së dhe Bllokut për seancën e 12 shtatorit

/ 4 minuta lexim

Kanë mbetur vetëm edhe 8 ditë deri në vazhdimin e seancës konstituive të 17 korrikut, mirëpo dy blloqet politike, PDK në njërën anë dhe Blloku LDK- AAK- Nisma në anën tjetër, nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.

Kanë mbetur vetëm edhe 8 ditë deri në vazhdimin e seancës konstituive të 17 korrikut, mirëpo dy blloqet politike, PDK në njërën anë dhe Blloku LDK- AAK- Nisma në anën tjetër, nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës njihet si grupimi më i madh parlamentar, dhe kësisoj e ka automatikisht të drejtën që ta propozoj kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, megjithatë nuk i ka numrat e mjaftueshëm që ta zgjedh atë.

Në anën tjetër, Blloku LDK- AAK- Nisma edhe pse i ka numrat, duket se Gjykata Kushtetuese u ka lënë më pak hapësirë për të pasur kryeparlamentarin nga radhët e veta. Megjithatë, përfaqësues nga Blloku janë të bindur se pika 127 e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ua jep atyre të drejtën për ta zgjedhur kryeparlamentarin.

Nëse është për t’i besuar deputetit të PDK-së, Adem Grabovcit se PDK i ka numrat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, atëherë situata mund të zgjidhet lehtë.

Mirëpo, nëse kalkulohen numrat në bazë të qëndrimeve të partive politike, atëherë PDK e ka të pamundur që t’i mbledhë 61 vota. E vetmja mundësi që në këtë situatë është ajo që PDK t’i bëjë numrat duke blerë disa deputetë nga koalicioni LDK- AAK- Nisma.

Këtë skenar nuk e kishte përjashtuar as deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti i cili kishte thënë në një intervistë dhënë medieve se në tërë rajonin ndodhë që deputetët të kalojnë nga një parti në tjetrën. Pra, Haliti nuk e ka përjashtuar që edhe kësisoj t’i bëjë numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Uji Dea

Liderët e Bllokut LDK- AAK- Nisma janë të vetëdijshëm se mund t’u ikë ndonjë deputetë nëse shkohet në votim të fshehtë, si një prej opsioneve që e ka rekomanduar Gjykata Kushtetuese. Dhe për këtë sipas burimeve të Gazetës Blic ata e kanë përgatitur skenarin që deputetët e tyre të marrin pjesë në votim, por do t’i dorëzojnë fletëvotimet blanko, pra nuk do të shkojnë fare të kabina ku do të votohet.

“Ky skenar do të përdorej në rast se shkohet me votim të fshehtë”, ka thënë ky burim.

Mirëpo, ky zyrtar i lartë i Bllokut ka bërë të ditur se në momentin që i dështon kandidati i PDK-së, atëherë do të thirrën në pikën 127 të aktgjykimit, dhe do ta zgjedhin Isa Mustafën në krye të Kuvendit. “Ju e dini se pika 127 e aktgjykimit të Gjyjkatës Kushtetuese na lejon që ne ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit”, tha ky burim.

Edhe Lutfi Haziri i LDK-së, sot në një deklaratë që e ka dhënë për medie ka thënë se Blloku do të shkoj me Isa Mustafën kandidat për kryetar të Kuvendit. Ai është shprehur i bindur se do të mund ta zgjedhin të premten e ardhshme Isa Mustafën kryeparlamentar.

Për analistët politik në vend, shkuarja në seancën e së premtes së ardhshme pa ndonjë marrëveshje, do të ishte skenari më i keq që do të mund të ndodh.

Kryeredaktori i Gazetës Tribuna, Arben Ahmeti ka thënë për Gazetën Blic se partitë politike do të ishte mirë që të merreshin vesh para 12 shtatorit. Në të kundërtën, ai paralajmëron se do të shohim një skenar shumë të keq.

“Shkuarja ne seancë pa ndonjë marrëveshje paraprake do të ishte skenari më i keq që mund të ndodh me 12 shtator. Përsëritja e seancës së parë konstituive do të dëshmonte papërgjegjësinë e skajshme të skenës politike karshi legjitimitetit institucional dhe kushtetutës së vendit. Duket që LAN-it, vendimi i Gjykatës Kushtetues nuk i ka lënë shumë hapësirë, ata ose duhet ta votojnë një kryeparlamentar të PDK-së, në mënyrë që nëse kanë vullnet pastaj ta bëjnë qeverinë, ose do të shkojmë në zgjedhjet ë parakohshme”, ka thënë Ahmeti./Gazeta Blic/