Skenare negative sigurie në Kosovë
Nga Burim Ramadani – Derisa Kosova për gati një vit është në krizë të tellë, “Faktori i Tretë” është vënë në lëvzije direkte. Serbia po rrezikon sigurinë në Kosovë dhe për këtë e ka gjetur hapësirën e bollshme. Faktori i brendshëm në Kosovë është pështjellur në vete dhe për vete, derisa, si për sherr, faktori i jashtëm (kryesisht rajonal) është komplikuar në zhvillimet e veta gjysmë-të papritura.
Janë bërë gati një vit prej kur Kosova është futur thellë në krizë politike dhe institucionale. Kjo, megjithëse e paralajmëruar, i ka dhënë hapësirë të pakontrollueshme veprimit direkt të “Faktorit të Tretë”.
Serbia, si një prej këtyre faktorëve negativ, është angazhuar direkt në përkeqësimin e situatës në Kosovë. Për këtë, e ka gjetur hapësirën e bollshme. Faktori i brendshëm në Kosovë është pështjellur në vete dhe për vete, derisa, si për sherr, faktori i jashtëm (kryesisht rajonal) është komplikuar në zhvillimet e veta gjysmë-të papritura.
Faktori i brendshëm:
Kosova po i ofron lehtësisht ambientin për të veprime direkte përkeqësuese: Krizën, institucionet e përgjumura, mosfunksionimin e shtetit të qëndrueshëm, retorikën lartësisht jopolitike, gabimet e panumërta institucionale, mosqartësinë e orientimit të politikave shtetërore, tensionimin e përgjithshëm të brendshëm, paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike, shtrirjen e lëvizjeve të ndryshme anti-Kosovë dhe humbjen pothuajse të plotë të besimit qytetar në institucione publike dhe në politikën përgjithësisht.
Qeveria dhe partitë në pushtet, kryesisht grupe të caktuara vendimmarrëse brenda tyre, janë zhytyr në kapjen e institucioneve të pavarura, punësimin e militantëve partiak, krijimin e një rrjeti të ri njerëzish të vjetër nëpër agjencia të pavarura dhe borde të ndërmarrjeve publike. Ky qartësisht duket se është objektivi.
Institucionet e sigurisë, në mungesë të ndërtimit të kapaciteteve të qëndrueshme, në mungesë të orientimeve strategjike politike dhe në mungesë të funksionimit të institucioneve kryesore publike, janë kthyer në institucione të pambikëqyrje civile demokratike. Motivimi i pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë ka rënë dukshëm dhe kryesisht për shkak të ndërhyrjeve direkte politike. Koncentrimi i pjesës më të madhe të resurseve të sektorit të sigurisë në ndjekjen dhe përcjellen e kundërshtarëve politik ka shkaktuar, po ashtu, ulje të dukshme të koncentrimit kundër rreziqeve të natyrave tjera të sigurisë kombëtare.
Faktori i jashtëm:
Si për sherr, periudha e post-BREXIT është thellësisht e komplikuar në Bashkimin Evropian. Fokusimi i evropianëve si strukturë, tashmë 27 anëtarëshe, pritet të shmanget dukshëm nga Ballkani në përgjithësi, përfshirë këtu edhe Kosovën. Kështu, të paktën mund të jetë për disa muaj, derisa vendet e BE-së do të mund të liroheshin nga tronditja e madhe gjysmë-e pritur të daljes së Mbretërisë së Bashkuar.
Në një situatë të këtillë, është lehtësisht e imagjinueshme situata kur dikush nga Kosova arrin t’i ankohet Mogerinit për “Luginën e Diellit” në veri të shtetit. “Më fal, jam pak e zënë”, do të mund të ishte përgjigja e menjëhershme, të paktën tash për tash.
Më tutje, lëvizja e re e inicuar nga vendimmarrës në Federatën Ruse për të ashtuquajtrin “Ballkani Neutral Ushtarakisht” është mbështetur menjëherë nga qarqe serioze në Serbi, pastaj edhe në disa shtete tjera ballkanike. Pra, dukshëm është një tentativë e Rusisë për të shfrytëzuar avantazhin në Ballkan.
Provokimet dhe sfidat
Kosova tashmë po përballet me provokime të shpeshtuara. “Lugina e Diellit”, përmendorja e Llazarit, veprimi diversant i Jabllanoviqit në Koshare janë disa prej këtyre veprimeve të provokimeve të nivelit të lartë, gjatë javëve të fundit.
Sfidat, ndërkohë, mund të rriten gjatë periudhës së ardhshme. Vazhdimi i ndërhyrjeve të tilla të Serbisë, demarkacioni, qartësimi i rrugës së mëtejme të Asociacionit të dytë të komunave në Kosovë, marrëdhëniet ndër-etnike që mund të tensionohen për shkak të provokimeve të ripërsëritshme, thellimi i krizës politike, mosliberalizimi eventual i vizave me zonën Shëngen dhe sfida të tjera e presin Kosovën.
(Ky shkrim është bërë enkas për Gazetën Blic)


