Skema e Grandeve të BE-së zgjon interesim të bizneseve vitiase për aplikim

Viti – Në Viti sot është mbajtur sesioni informativ i Agjencionit për Zhvillim Rajonal sektori i Lindjes lidhur me grandet e Bashkimit Evropian për zhvillimin e sektorit privat. Në këtë sesion informues, ku merrnin pjesë përfaqësues të komunitetit të biznesit nga sektori privat, kryetari i komunës Sokol Haliti ka potencuar përkushtimin e Institucioneve komunale për të bashkëpunuar si me AZHR-në , po ashtu edhe me mekanizmat tjerë që kanë për qëllim zhvillimin e biznesit në komunën e Vitisë dhe për të përkrahë ndërmarrjet ekzistuese.
Haliti theksoi se është punuar në këtë drejtim, por papunësia që akoma është problem kyç i shoqërisë, kërkon angazhim edhe më të madh për të pasur rezultate më të favorshme për zhvillimin bizneseve. “Ne jemi të interesuar që punësimin ta bëjmë përmes kësaj metodologjie e jo që të kërkohet punë duke lëshuar vendin dhe inkuadruar në shtetet tjera. Si Institucione komunale do të vazhdojmë të punojmë për grande të mëdha dhe që rezultatet të jenë evidente”, tha kryetari Haliti.
Ndërsa koordinatori i projekteve në ARDA Agim Zeka, ka theksuar se qëllimi parësor i Skemës së Grandeve është që të nxisë ndërmarrësin dhe të gjenerojë punësim në të pesë rajonet ekonomike të Kosovës. “Objektivat e Skemës së Grandeve janë që të ndihmojnë në themelimin e ndërmarrjeve të reja dhe zgjerimin e ndërmarrjeve të vogla ekzistuese. Shuma e investimeve do të jetë 1 milion euro që do të ndahet në tri tërësi që përfshinë: ndërmarrjet e reja, ato që janë me më pak se 2 vite të regjistruara, si dhe bizneset ekzistuese me më tepër se dy vite veprimtari,” ka thënë Zeka duke potencuar edhe shumën e përcaktuar që do të jetë për secilën tërësi.
Ai më tej në prezantimin e Skemës së Granteve, njoftoi se skema do të fokusohet në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të interesuara në zëvendësimin e produkteve të importit ndërkohë që një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ndërmarrjeve që synojnë zhvillimin e kapaciteteve eksportuese. Grandet do të jenë të hapura si për sektorin e prodhimit ashtu edhe për sektorin e shërbimeve komerciale.
Ato do të ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës me fokus të veçantë te të rinjtë. Ndërmarrësit e rinj janë të inkurajuar të konsiderojnë mundësitë që ofrohen përmes kësaj skeme.
Gjithashtu, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së bizneseve të udhëhequra nga gratë. Edhe udhëheqësit komunal i premtuan qytetarëve të interesuar për aplikim se do të kenë mbështetje në aspektin profesional./rajonipress/