Skandaloze: Drejtësia eksperimenton me Sedat Fejzën
Gjilan – Sedat Fejza është dashur ta kryejë burgun më 12 tetor 2015, por sipas tij ndërkohë i është sjellë një vendim se atij i është shtyrë data e burgut deri më 23 janar 2016 me arsyetimin se ka folur për media dhe ka dhënë informata konfidenciale. Fejza thotë se s`ka fuqi që mund ta ndalë atë për të folur për shumë manipulime e dallavere në burgun e Dubravës.
Sedat Fejza ish pjesëtar i tri luftërave duket se është shndërruar në eksperiment për organet e burgut në Dubravë dhe ata të drejtësisë.
Fejza përmes telefonit i ka thënë rajonipress se është dashur ta kryejë burgun më 12 tetor 2015. “Të hënën më erdhi lajmi se data e përfundimit të burgut më është shtyrë deri më 23 janar 2016. Kjo vërtet është skandaloze dhe s`ka të bëjë asgjë me drejtësinë. Unë jam viktimë dhe dikush me çdo kusht e donë kokën time. Merreni me mend më thanë se ky vendim i burgut prej tre muajve vije për shkak se gjoja unë kam folur nëpër media dhe kam dhënë sekrete nga burgu. Në një përgjigje me shkrim që më kanë ofruar shkruan se kam folur nëpër media, edhe pse unë asnjë shkelje disiplinore nuk e kam për këto vite. Por, tash do të flas, sepse kam fakte e dëshmi, dhe do e thërras edhe antikorrupsionin. E di saktë se çfarë ndodhë këtu brenda” tha i revoltuar Fejza.
Sedat Fejza nga Mogilla e Vitisë aktualisht ndodhet në burgun e Dubravës ku po vuan dënimin prej 6 vitesh e gjysmë.
“Nuk jam i implikuar në plagosjen e dy priftërinjve në Kllokot dhe s`kam fare të bëjë me ato vepra penale për të cilat jam dënuar në mungesë” pati thënë Fejza para trupit gjykues.
Trupi gjykues nuk e patë marrë parasysh as deklaratën e Novica Përzhiqit (1961) nga fshati Mogillë e Vitisë i cili patë deklaruar . “Nën përgjegjësi të plotë materiale dhe penale deklarojë se në verën e vitit 2000 , në muajin korrik, ditën kur është shtënë në dy priftërinjtë e Kllokotit i dënuari Sedat Fejza nga Mogilla e Vitisë i dënuar për këtë rast, në kohën kur është shtënë në priftërinjtë ishte në shtëpinë e tij dhe është e pamundur që në këtë interval kohor të ketë qenë edhe në fshatin Kllokot, kur është gjuajtur në drejtim të priftërinjve. Për krejt këtë që kam parë unë i kam rrëfyer dhe treguar edhe lartmadhërisë-priftit dhe jam i gatshëm që të njëjtën dëshmi ta vërtetojë ku është e nevojshme, sepse konsiderojë që është obligim i imi qytetar që të dëshmojë për atë që kam parë me sytë e mi “pati deklaruar Përzhiq./rajonipress/


