Eko Higjiena

Skandalet që goditen rëndë Kosovën në vitin 2019

/ 4 minuta lexim

“Ndër skandalet më të mëdha që ndodhën në vitin 2019, janë abuzimi me rezervat shtetërore, shpenzimet e buxhetit të shtetit, jashtë çdo kontrolli, punësimet nepotike e partiake të familjarëve të deputetëve dhe të afërmve të zyrtarëve të lartë qeveritarë, pasoja të cilat vazhdon t`i bartë në vijimësi Kosova”, thotë analisti Qarri për “Kosova Sot Online”

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, duke kujtuar punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera për vitin që po mbetet pas, vlerëson se zhvillimet e vogla pozitive që janë shënuar në 6 mujorin e parë të vitit 2019, fatkeqësisht po mbeten nën hije të shumë dështimeve të mëdha, të cilat janë shumë fish më të madha dhe më të dukshme se sukseset.

“Viti që po lëmë pas nuk do mend se u karakterizua me zhvillime pozitive dhe të rëndësishme për vendin,si ligji për Trepçën, Ligji për formimin e Ushtrisë, ligji për pagat etj, por padyshim pati edhe jo pak ngjarje të cilat ishin zhgënjyese për qytetarët dhe shtetin e brishtë të Kosovës. Dështimet erdhën, pikërisht si pasojë e politikës së keqe të koalicionit PAN, si zhgënjimi me mospranimin e Kosovës në UNECSO, mos liberalizimi i vizave, rezultatet katastrofale të PISA, etj, të cilat janë vetëm disa nga dështimet më të mëdha që zhgënjyen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra një dështim kolosal dhe në shumë fusha, përkundër premtimeve boshe për arritje dhe suksese të mëdha, të cilat fatkeqësisht nuk ndodhën asnjëherë”, thotë analisti Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, ndër dështimet më të mëdha të Kosovës në vitin 2019, padyshim ishte dështimi për tu anëtarësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Dështimi për t’u anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare UNESCO, që vlerësohet edhe si dështim i politikës kosovare drejt integrimeve euroatlantike, dështime të cilat parë në planin ndërkombëtar, emërues të përbashkët e kanë mos efikasitetin ndër vite veçanërisht të presidencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe gjithë qeverinë kosovare të PAN-it, e cila përkundër premtimeve megalomane kurrë nuk arriti t’i plotësojë kriteret e kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare. Institucionet e vendit dështuan për të satën herë edhe në përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në organizatën më të madhe për bashkëpunim policor- INTERPOL, ashtu siç dështoi të anëtarësohej edhe në programin për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve-PISA! Madje koeficientet në listën e 79 vendeve të botës kanë radhitur Kosovën në njërin nga tri vendet e fundit dhe me një rezultat nën mesataren vendeve pjesëmarrëse, gjë që është për më tepër se vetëm, keqardhje. Pra nga e gjitha kjo del se edhe ky vit shkoi me plot skandale, korrupsion galopant dhe krim të organizuar kudo ne Kosovë, një vit me shumë sfida e probleme, ku vendin kryesor e mori refuzimi i heqjes së vizave dhe pamundësimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së”, deklaron Qarri për “Kosova “Sot Online”.

Uji Dea

Qarri po ashtu thekson se viti 2019, do të mbahet në mend si vit i skandaleve dhe dramave politike, sesa i suksesit për Kosovën, sidomos sa i takon rrafshit ndërkombëtar.

“Ndër skandalet më të mëdha që ndodhën në vitin 2019, janë abuzimi me rezervat shtetërore, shpenzimet e buxhetit të shtetit, jashtë çdo kontrolli, punësimet nepotike e partiake të familjarëve të deputetëve dhe të afërmve të zyrtarëve të lartë qeveritarë, pasoja të cilat vazhdon t`i bartë në vijimësi Kosova”, thekson analisti Qarri për “Kosova Sot Online”

Politika e jashtme e Kosovës, sipas Qarrit mbetet njollë e zezë për shtetin e Kosovës për vitin që po shkon.

“Madje mjerisht edhe këtë vit Kosova dështoi që të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare, njëjtë siç dështoi që ta rris edhe numrin e njohjeve, e për aq më keq, këtë vit ky numër shkoi edhe duke rënë, përderisa në Kosovë edhe më 2019, vazhdoi të rritet vetëm krimi i organizuar”, përfundon analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.