S’ka vend për panik nga virusi H1N1

Gripi i derrave që kohët e fundit i mori jetën një 37- vjeçare të Kosovës, s’duhet të shkaktojë panik, është qëndrim i institucioneve të shëndetësisë së vendit, raporton KTV.
Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, i cili ka verifikuar në laboratorin e tij rastin pas më shumë se dy vjetësh, thotë se janë të përgatitur për t’u ballafaquar me raste të tilla.
Drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani ka thënë se virusi H1N1 është familjarizuar dhe tashmë konsiderohet si grip sezonal. Ramadani ka thënë se nga 8 000 raste të paraqitura nga shtatori i vitit të kaluar, ky është rasti i parë i verifikuar, i cili konsiderohet si rast i izoluar.
Drejtori i Klinikës Infektive deklaroi se pacientja e vdekur një ditë më parë nuk është trajtuar në klinikën e tij, por në atë Intensive, duke thënë se janë të gatshëm për të trajtuar raste të tilla, nëse ato paraqiten në të ardhmen.
Preventiva më e mirë konsiderohet vaksina për gripin stinor, ngaqë ndër tri komponentë është përfshirë edhe H1N1. Ministria e Shëndetësisë ka siguruar më shumë se 100 mijë vaksina, të cilat Instituti i ka shpërndarë nëpër të gjitha qendrat e mjekësisë familjare.