S’ka sinjale për riaktivizim të shpejtë të dialogut

Më 9 nëntor të vitit të kaluar dy palët e përfshira në dialog janë ulur në tavolinë për herë të fundit. Pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër në kuadër të fazës finale. Ndonëse janë duke qëndruar në Nju-Jork, as presidenti i Kosovës e as ai i Serbisë nuk kanë dhënë kurrfarë sinjali se kur mund të ketë rinisje të negociatave, shkruan gazeta “Zëri”.

Po bëhet gati një vit prejse pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë takuar për të diskutuar në kuadër të procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Pavarësisht kësaj, thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e këtij procesi nuk janë ndalur përgjatë kësaj periudhe kohore. Për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dyja vendeve ditëve të fundit u fol edhe në Nju-Jork, ku po mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Para fillimit të Asamblesë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë darkuar me ndërmjetësuesen e dialogut Federica Mogherini. Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Mogherinit pas takimit u tha se të gjithë pjesëmarrësit mbështetën vazhdimin e dialogut dhe arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve.

Megjithëkëtë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk u deklarua fare për dialogun këtë herë, siç bënte zakonisht kur ishte në vizita të tilla. Por homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ndërkombëtarët kanë kërkuar të gjendet një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht të punohet drejt arritjes së marrëveshjes. Megjithëkëtë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se në rrethanat aktuale nuk mund të ketë rikthim të dialogut

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS