Mobi Casa

S’ka shpresë se Kushtetuesja do të vendosë drejt për Thaçin

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Partitë opozitare janë të vendosura që të vazhdojnë aktivitetet politike kundër Qeverisë së udhëhequr nga koalicioni PDK-LDK. Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ka thënë të dielën se nuk mund të jesh i lirë pa qenë sovran e as sovran pa qenë i lirë, pasi, sipas tij, sovraniteti është fondament i demokracisë.

Kreu i LVV-së theksoi se dëshmorët ravijëzuan edhe rrugën përpara, vazhdimin për të qëndruar në këtë rrugë të ravijëzuar.
“Karakteri unitar i këtij shteti vazhdimisht vihet në pikëpyetje me Zajednicën, territori i tij vazhdimisht cenohet përmes demarkacionit me Malin e Zi, e kërkesave të pafundme të Serbisë për komuna të reja, institucionet publike të tij janë në gjendje të përhershme të fluiditetit për shkak të riaranzhime të vazhdueshme të bartjes, cungimit, e shkurtimit të kompetencave, dhe në anën tjetër të tërheqjes po ashtu të vazhdueshme nga përgjegjësia dhe shërbimet publike”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo po bëhet për shkak të interesave të të tjerëve e në dëm të interesave kolektive të popullit sovran. “E kundërta e marsit 1998.

Nëse atëherë anëtarët e familjes Jashari u flijuan për lirinë e Kosovës, duke na mësuar kështu që individi është në funksion të lirisë kolektive e të barazisë, sot kemi individë që e flijojnë Kosovën për ambiciet personale. Ashtu siç bënë Mustafa e Thaçi. Ashtu siç u votua Thaçi. Ashtu siç Zajednica nuk bëhet dot pa Thaçin e Mustafën, ashtu edhe Thaçi e Mustafa nuk mund t’ia bëjnë dot pa Zajednicën”, ka thënë Ymeri.

Uji Dea

Kreu i “Vetëvendosjes” edhe një herë ka kundërshtuar zgjedhjen e Hashim Thaçit president, duke thënë se votimi për Thaçin u shndërrua kështu në konfirmim të “Zajednicës” dhe i kushtoi buxhetit të Kosovës shuma marramendëse parash.

Por, edhe pse e kanë dërguar zgjedhjen e tij në krye të shtetit në Gjykatën Kushtetuese, Ymeri thotë se nuk kanë shpresa të mëdha se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë karshi kësaj çështjeje.

Ymeri ka folur edhe për arrestimin e aktivistëve të opozitës dhe deputetëve të saj, duke thënë se përndjekja ndaj opozitës nuk e sinjalizon vetëm rrëshqitjen e pushtetit drejt diktaturës, por më shumë pasigurinë e frikën që ky pushtet ia ka kauzës së tyre të drejtë. “Kështu pushteti e pranon në mënyrë indirekte që ne kemi të drejtë, kur kësaj të drejte ia kundërvë forcën. Për më tepër ky regjim e di se kauza jonë është ngadhënjyese dhe krejt përpjekjen e ka për ta shtyrë atë në kohë”, ka deklaruar Ymeri, duke shtuar se koha po punon kundër Republikës së Kosovës, sepse regjimi që po e kërkon kohën, po vepron në kundërshtim me interesat e Republikës. “Prandaj ndryshimi që vjen nga ne nuk ka kohë, dhe protesta jonë nuk mund të japë kohë. Sot kemi më shumë arsye për të protestuar se sa që kemi pasur dje. Prandaj nuk është koha as e reduktimit të metodave, e as e uljes së intensitetit të protestës”, ka thënë ai. Sipas Ymerit, arsyet shtesë për protestë, janë kapja e majës së shtetit, zotimi për ringjallje të “Zajednicës”, zgjerimi i territorit të saj përmes bërjes së Prilluzhës komunë, uzurpimi dhe koncesionimi i thëngjillit për përfitime të të tjerëve jashtë Kosovës, që kërkojnë rritje të gatishmërisë, mobilizimit e vendosmërisë për protestë, e jo të kundërtën./zeri/